Shesin mish jashtë standardeve 74 subjekte
Bashkia e Tiranës nis aksionin për ndalimin e tregtimit të mishit jashtë kushteve të higjienës. Janë identifikuar 74 subjekte që kanë ushtruar aktivitetin në mënyrë abuzive, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e qytetarëve. Atyre u është lënë afat për shlyerjen e detyrimeve ligjore dhe plotësimin e kushteve sanitare. Në të kundërt do t’u pezullohet përgjithnjë aktiviteti. “Bashkia e Tiranës ka urdhëruar ngritjen e një grupi të përbashkët pune me kualitetet e një Task- Force të vërtetë, ku Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit, Drejtoria e Tatimeve të Bashkisë së Tiranës dhe Policia Bashkiake, në tri grupe pune që veprojnë intensivisht”, tha dje nënkryetari i Bashkisë, Petrit Vasili. Kreu i Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit në Bashki, Geron Ibrahimi, tha se strukturat e kësaj agjencie kanë qenë vigjilente në kontrollin dhe certifikimin e mishit që tregtohet, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të blejnë mishin vetëm kur ai është i vulosur nga punonjësit e agjencisë. “Në këtë 6-mujor konstatojmë me kënaqësi që kemi certifikuar rreth 40 324 krerë gjedhë apo bagëti të imëta, duke shmangur në mënyrë të drejtpërdrejtë transmetimin e sëmundjeve zonotike, pra nga kafsha, sëmundje të cilat transmetohen nga kafsha te njeriu dhe në këtë formë duke mbrojtur shëndetin e qytetarit”, tha Ibrahimi.