E Diel, 1 Nëntor 2026

Takimi “sekret” i 2009-ës në Suedi: Shqipëria gati për statusin kandidat

Wikileaks zbardh takimin mes zyrtarit të BE-së dhe ministrit të Jashtëm suedez, Carl Bildt, në gusht të vitit 2009, ku kërkohet futja e Shqipërisë në axhendën europiane për statusin kandidat, që tregon se Shqipëria ka çuar dëm dy vite për shkak të krizës politike. Gjermania: Jemi dakord, por të adresohet çështja e zgjedhjeve

Tiranë Kriza politike që ka ngërthyer prej 2 vitesh politikën ka lënë në pikën zero aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat. E ndërsa sezoni i ri politik duket se do t’ia dedikojë axhendën e vet realizimit të këtij objektivi, dokumentet e publikuara nga Wikileaks tregojnë se Shqipëria ka çuar dëm dy vite në negociatat me Bashkimin Europian. Një telegram i datës 31 gusht 2009, i dërguar në Washington nga ambasada amerikane në Stokholm tregon se “lokomotiva” shqiptare drejt BE-së ishte në binarë të mbarë, sa pa u komplikuar situata postzgjedhore në Tiranë. Në telegramin që MAPO boton sot zbardhet një bisedë e zv.shefit të sekretariatit të Bashkimit Europian, Jonas Wendel, me ministrin e Jashtëm suedez, Carl Bildt, që asokohe kryesonte presidencën e BE-së. Raporti flet për një sërë çështjesh që pritej të ngriheshin në samitin e ministrave të Jashtëm në Gymnish të Stokholmit, ku zgjerimi i Bashkimit Europian ka zënë në befasi shumë prej të pranishmëve. “Përfshirja e çështjes së zgjerimit i zuri të gjithë në befasi”-raportonte zyrtari i Bashkimit Europian, ndërsa tregonte më pas se ishte ministri i Jashtëm suedez, Bildt, ai që ka lobuar në favor të integrimit të Shqipërisë. “Bildt dëshiron të shtyjë përpara barrierat me aplikimin e Shqipërisë për anëtarësimin. Në takimin e korrikut të Këshillit të Marrëdhënieve me Jashtë, të gjitha vendet anëtare ranë dakord të nisin procedurat me Shqipërinë dhe Islandën”, - thuhet në telegramin e dërguar në Departamentin amerikan të Shtetit nga ambasada në Stokholm. Asokohe, pengesë për Bashkimin Europian përbënin zgjedhjet e përgjithshme në Gjermani, pasi përfaqësuesit e këtij vendi kërkonin shmangien e diskutimeve për zgjerimin e BE-së. “Sipas Wendel, Gjermania kërkon të shmangë diskutimet mbi zgjerimin deri pas zgjedhjeve, me qëllim që të parandalohet retorika ksenofobike”,-shtohet më tej në telegramin e datës 31 gusht 2009, publikuar dje nga Wikileaks. Sipas këtij takimi të raportuar në Washington, Gjermania shprehej dakord me hapjen e negociatave për statusin me Shqipërinë, por kërkonte adresimin e duhur nga qeveria shqiptare të parregullsive me zgjedhjet. E ndërsa aplikimi i Shqipërisë ishte gati për të marrë dritën jeshile nga Bashkimi Europian, “nxehja” e situatës politike fillimisht me bojkotin e Parlamentit nga deputetët socialistë e më pas me protestat dhe mungesën e një marrëveshjeje për hetimin e zgjedhjeve të 2009-s “ngrinë” afrimin e vendimit me BE-në. Pas refuzimit të statusit nga BE-ja tetorin e kaluar, qeveria shqiptare po bëhet gati për një sfidë të dytë këtë vjeshtë. Situata politike megjithatë mbetet njësoj e polarizuar edhe pas zgjedhjeve vendore, ndërsa palët janë ende larg plotësimit të rekomandimeve dhe apelit të BE-së për dialog.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›