E Diel, 1 Nëntor 2026

Daul- Berisha: Ramës i është kërkuar të respektojë rregullat e demokracisë

Kreu i popullorëve thotë se kryetari i socialistëve duhet të kuptojë që demokracia nuk është bojkoti, por bashkëpunimi. Ai deklaroi gjithashtu se shumë shpejt shqiptarët do lëvizin të lirë në hapësirën “Schengen” të Bashkimit Evropian


Presidenti i Partive Popullore Evropiane, Joseph Daul u shpreh sot gjatë një takimi me kryeministin e vendit Sali Berisha, se vizita e tij në Shqipëri bëhet me qëllim për t’u njohur më nga afër me situatën politike. Daul, i cili nga dita e djeshme ndodhet në vendin tonë, ka kërkuar që opozita të respektojë rregullat e demokracisë dhe parimin e shtetit të së drejtës. Sipas tij, në demokraci, qeveria dhe opozita duhet të funksionojnë. “Opozita duhet të zerë vendin që i takon në Kuvend. Ramës i është kërkuar që të respektojë rregullat”- tha ai. Duke iu referuar takimit të Strasburgut, Joseph Daul theksoi se në bisedime u arrit që opozita të punojë në Kuvend. “Kishte dy mundësi, të mbaronte greva apo të fillonin negociatat. Berisha i la mundësi funksionimit të shtetit së së drejtës. Nuk do kritikoj zotin Rama, por rregullat demokratike duhet të funskionojnë. Ai tha se rregullat demokratike nuk kanë funksionuar mirë dhe nëse është kështu le të bëhen propozime. Unë dhe Schulz donim të shkonim larg. Demokracia nuk është bojkoti, por bashkëpunimi”- u shpreh Daulz. Lidhur me procesin e liberalizimit të vizave kreu i popullorëve evropuianë theksoi se ky është një moment shumë i rëndësishëm për shqiptarët. Ai shprehu garancinë se Bashkimi Evropain do miratojë vendimin ashtu siç ka premtuar. Nga ana e tij, kryeministri Berisha i shprehu Daul mirënjohje për mbështetjen që parlamentaret e grupit të PPE-së i kanë dhënë Shqipërisë gjatë këtyre viteve për ndërtimin e një shoqërie të lirë. “E njoha z. Daul me përpjekjet e qeverisë shqiptare dhe PD-së për të zhvilluar në këtë vend vlerat e qendrës së djathtës, vlera që bënë që ky vend të dalë nga gremina e historisë në demokraci. Qeveria shqiptare do të bëjë çdo gjë që të plotësojë kërkesat e KE-së të njoftuara nga komisionerja Malstrom për heqjen e vizave. E njoha Daul me përpjekjet e qeverisë në luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, konstituimin e institucioneve dhe zbatimin e ligjit”- deklaroi kryeministri. Shefi i ekzekutivit garantoi se do pranojë çdo kërkesë të opozitës dhe është i hapur për bashkëpunimin me të. “Shpreh kënaqësi që opozita është sot në Kuvend. Ligjet që duhet të kalojmë se bashku, qeveria ka vullnet të plotë të pranojë ëdo amendament që opozita do sjellë për to”, saktësoi ai. Kreu i qeverisë shtoi se për zgjedhjet e ardhshme, qeveria do pranojë çdo amendament nga opozita që t’i japë sigurinë maksimale asaj për pjesëmarrjen në zgjedhje. Kryeministri iu referua dhe zgjedhjeve të kaluara parlamentare, për të cilat tha se ishin më të mirat e zhvilluara ndonjëherë në historinë e Shqipërisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›