E Diel, 1 Nëntor 2026

Daul: Nuk pres zgjidhje në Tiranë



Një nga ndërmjetësit eurodeputetë të krizës politike në Shqipëri thotë se nuk ka shpresa të arrijë ndonjë marrëveshje midis qeverisë dhe opozitës gjatë një vizite të planifikuar në Tiranë. Kryetari i grupit të partive Popullore të Parlamentit Evropian, Joseph Daul, mbërrin të mërkurën për një vizitë në Tiranë, në kuadër të një turneu ballkanik. Zoti Daul pritet të takohet me zyrtarë të lartë të qeverisë, ndërsa nuk është njoftuar ndonjë takim me përfaqësues të opozitës. Sot përfaqësues të lartë të opozitës kanë përfunduar një mision në SHBA ku është zhvilluar një forum i lartë i Internacionales Socialiste dhe ku kanë diskutuar për gjëndjen në Shqipëri. Zoti Daul, së bashku me eurodeputetin Martin Schultz, kryetar i grupit të partive të majta në Parlamentin Evropian, është përpjekur të negociojë për gjetjen e një zgjidhje të situatës politike në Shqipëri. Të dy eurodeputetët u takuan disa javë më parë në Strasburg në një darkë pune me kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e Partisë Socialiste të opozitës Edi Rama. Joseph Daul ka deklaruar: Vizita ime ishte parashikuar prej kohësh. Një vizitë në Ballkan, në Maqedoni dhe Shqipëri. Së bashku me Martin Schultz jemi përpjekur që të negociojmë një zgjidhje për Shqipërinë, e cila dështoi javën e kaluar. Por kjo nuk me pengon që të vij në Tiranë për të takuar kryeministrin, për të disktuar me të. Nuk pres që nesër të gjej zgjidhjen e situatës. Nuk është kështu. Mund të them se në turneun që po bëj në Ballkan do të takohem edhe me zotin Berisha, përfundoi Daul.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›