Daul: Opozita të zërë vendin në parlament
Presidenti i Partive Popullore Europiane, Joseph Daul, këmbëngul se nuk dëshiron të komentojë çështje që i takojnë drejtësisë, por se në Shqipëri ka pasur zgjedhje të përgjithshme demokratike. “Ato u njohën nga instancat demokratike e që duhen zbatuar. Kjo do të thotë se opozita duhet të zërë vend në parlament. Unë s’kam parë kurrë një demokraci, ku opozita nuk shkon në parlament, pasi bëhen zgjedhjet”, u shpreh Daul për “Top Channel”. Më tej, ai kundërshtoi idenë e bojkotit të zgjedhjeve lokale, duke këmbëngulur se i duhet lënë gjithsesi zgjedhja qytetarëve, për të votuar pasi kjo është demokracia. I pyetur nëse kemi të bëjmë me një diktaturë në Shqipëri, ai këmbënguli se “fjala diktaturë është një fjalë shumë e fortë. Jam një sindikalist i vjetër. Kam organizuar demonstrata vet, e në disa momente në manifestime, ndodhin gjëra që nuk janë normale, e një mendim i veçantë nga ana ime ju shkon atyre personave që vdiqën”. Unë për vete, vijoi ai, si sindikalist, një ditë këtu në Bruksel, humba një nga anëtarët e mi, jo për shkak të policisë, por sepse u shtyp nga një makinë. “Ka gjëra që kanë ndodhur e që nuk janë normale që të ndodhin, por nuk mund të themi se Shqipëria është një diktaturë. Jo”, u shpreh Daul. Teksa u pyet për çështjen e kërkesës për marrjen e tabulateve të gazetarëve nga komisioni hetimor, Presidenti i PPE-së sqaroi se “liria e shtypit është thelbësore. Këtu, në nivel të PPE-së, kemi bërë shumë panele për këtë që ‘liria e shtypit është esenciale’. Në vendet demokratike, liria e shtypit është pjesë e demokracisë”.