Shmangia e tensionit, Topalli i vë kyçin Kuvendit
TIRANË- Kryeparlamentarja Jozefina Topalli i vë “kyçin” Kuvendit. Seanca parlamentare, e programuar për sot, nuk do të zhvillohet. Kuvendi ka njoftuar dje në faqen zyrtare shtyrjen e seancës, duke e argumentuar këtë vendim me faktin se projektligjet e programuara për t’u diskutuar në këtë seancë, nuk kanë përfunduar së shqyrtuari ende në komisione dhe se deputetët gjenden të shpërndarë në zonat e tyre elektorale. “Kuvendi i Shqipërisë vazhdon punën në komisionet e përhershme parlamentare dhe komisionin hetimor. Deputetët janë të angazhuar në zonat e tyre elektorale. Axhenda e komisioneve të përhershme nuk ka përfunduar shqyrtimin e projektligjeve të caktuara.
Javën e ardhshme do të mblidhet konferenca e kryetarëve, për përcaktimin e kalendarit të punimeve të Kuvendit”, - thuhet në njoftimin zyrtar të Kuvendit, ku dhe lajmërohet shtyrja e seancës. Por argumentet e paraqitura në mënyrë zyrtare, duket se përbëjnë vetëm pretekstin e shtyrjes, pasi arsyet e vërteta lidhen me situatën e krijuar në vend gjatë dy javëve të fundit, që pas demonstratës së opozitës, së zhvilluar më 21 Janar. Burime pranë mazhorancës kanë bërë të ditur se, për të shmangur një debat tjetër të ashpër me opozitën (e cila nga ana e saj ishte përgatitur për një gjë të tillë) në prag të protestës së nesërme, drejtuesit e Kuvendit kanë vendosur që të shtyjnë seancën për një ditë tjetër, në javët e ardhshme. Sipas të njëjtave burime, mësohet se nga ana e drejtuesve të mazhorancës është vlerësuar se nuk do ishte aspak e përshtatshme, që një ditë para protestave të paralajmëruara të opozitës, Kuvendi të shfaqte një tjetër betejë debati, pasi një gjë e tillë do mund të nxiste më tej revoltën e protestuesve. Shtyrja e mbledhjes së sotme bën që për të dytën javë radhazi, Kuvendi i Shqipërisë të mos mblidhet në seancë plenare. Një javë më parë, Kuvendi nuk e zhvilloi seancën plenare, të programuar për të enjten, duke arsyetuar se ajo ishte zhvilluar disa ditë më parë, pra të dielën e 23 janarit, ku dhe u vendos ngritja e komisionit hetimor për ngjarjet e dhunshme në bulevard.
F.Braushi