KSHH: Kërkesa për gazetarët, e jashtëligjshme
TIRANË Të jashtëligjshme e ka cilësuar dje edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, kërkesën e komisionit hetimor për të marrë tabulatet telefonike të katër gazetarëve.
“KSHH thekson se një kërkesë e tillë është krejt e papranueshme, pasi cenon lirinë e medias dhe të drejtën e shtetasve për t’u informuar. Ne mbështetim reagimin e drejtë të shoqatave të gazetarëve, të gazetarëve dhe intelektualëve të tjerë vendas, si dhe qëndrimin e drejtë e parimor të përfaqësuesve të organeve ndërkombëtare, private e publike, të cilët vunë në dukje se gazetari, në përmbushje të detyrës së tij, e ka të domosdoshme të komunikojë me persona të ndryshëm dhe se ai nuk mund të detyrohet të tregojë burimet e informacionit të tij”, thuhet në njoftimin për shtyp.