Rama: Zgjedhjet lokale, jo zgjidhja për të dalë nga situata
Kryetari i opozitës shpreh gatishmërinë për dialog. Ai sqaron gjithashtu se protestat do të vijojnë deri në zgjidhjen e krizës
TIRANË- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka shprehur edhe njëherë gatishmërinë e opozitës për dialog e kompromis, por duke mos hequr dorë nga rezistenca paqësore. Menjëherë pas takimit që zhvilloi dje me ministrin e Jashtëm slloven, kreu socialist ka ripërsëritur mesazhin e tij, drejtuar jo vetëm mazhorancës por edhe faktorit ndërkombëtar, se ai në cilësinë e drejtuesit të opozitës është i hapur për dialog, si e vetmja rrugë për të dalë nga gjendja aktuale. Por, ka siguruar Rama, ky vullnet i shprehur nuk do të bëjë që opozita të heqë dorë nga protestat, deri sa zgjidhja të arrihet. “Duke i shprehur respektin dhe mirënjohjen ministrit të Jashtëm slloven, si dhe, përsëri, të gjithë miqve e partnerëve të vendit tonë, për shqetësimin serioz lidhur me gjendjen e vendit e për vullnetin e shprehur për të ndihmuar në gjetjen e daljes nga kriza, rinënvizoj: Jemi të gatshëm për dialog e kompromis, por nuk do të ndalemi në rrugën e rezistencës paqësore, nëqoftëse regjimi i kusarisë nuk zmbrapset nga rruga antikushtetuese e antidemokratike ku është futur”, - tha Rama. Nga ana tjetër, ai i ka quajtur të papranueshme të gjitha deklaratat e faktorit ndërkombëtar se, zgjedhjet lokale të 8 majit do të ishin një test shumë i mirë për legjitimitetin e kësaj qeverie. Në kushtet që ndodhet vendi, ka theksuar Rama, është e pamundur që të mendohet se zgjedhjet lokale mund të ishin shansi i duhur për dalë nga kjo situatë. “Refuzimi për të dëgjuar opozitën, përshkallëzimi i barbarisë antikushtetuese e antidemokratike, me sulmet ndaj Presidentit, Prokurores së Përgjithshme, Drejtorit të Shërbimit Informativ, gazetarëve, kundërshtarëve me regjimin dhe opozitës po e po, mosdorëzimi i gjashtë të kërkuarve nga drejtësia, për vrasjen e 3 njerëzve të pafajshëm në një masakër shtetërore, nxjerrja e Policisë së Shtetit nga korniza e ligjit, e bëjnë krejtësisht absurde përmendjen e zgjedhjeve të 8 majit, si mundësi për të kapërcyer këtë krizë të jashtëzakonshme”, - u shpreh Rama. Më tej, ai ka theksuar se kjo situatë nuk është shprehja e një konflikti të qeverisë me opozitën, por shpërthimi i atij që vet kryesocialisti e quajti si qelbi i akumuluar në rrugën e korrupsionit e të korruptimit të qeverisjes, drejtësisë, medias, nga ana e qeverisë. “Këtë krizë, që shfaqet edhe si varfërim i familjeve që s’jetojnë me kusari dhe rrënim i fuqisë blerëse të shqiptarëve të zakonshëm në tregun e çmimeve të rritura përsëri e përsëri, Shqipëria s’mund ta kalojë as duke mbyllur sytë, as duke hequr dorë nga demonstratat, as kënduar këngën e integrimit europian ndërkohë që Europa e parimeve, vlerave, standardeve demokratike, është përditë e më e zhytur në tymin e bombave të hedhura prej Saliut, kundër shtetit të së drejtës e lirive të qytetarëve të këtij vendi”, - u shpreh Rama. Ndaj kreu socialist, edhe një herë, i ka bërë thirrje shqiptarëve që të dalin nesër në demonstratat që do të zhvillojë PS në katër qarqet kryesore, për të shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj kësaj qeverisje, por edhe për të kërkuar zbardhjen e së vërtetës për vrasjet e 3 protestuesve në datën 21 Janar. “Pasnesër, të premten 4 shkurt, Tirana, Vlora, Lezha e Korça do të demonstrojnë për të kërkuar rivendosjen e demokracisë me zgjedhje të lira e të ndershme dhe rikthimin e Policisë së Shtetit brenda ligjit përmes ekzekutimit të 6 urdhër-ndalimeve të Prokurorisë së Përgjithshme. Shqipëria kërkon paqe e qetësi, ne duam paqe e qetësi, por jo paqe në frikë e heshtje në një boshllëk antidemokratik, ku regjimi i kusarisë po lufton kundër një puçi imagjinar, me qëllimin që të likuidojë që të gjitha burimet që kontrollojnë qeverinë apo që kundërshtojnë qeverinë. Paqe në emër të bashkëjetesës demokratike që garantohen me zgjedhje të lira e të ndershme dhe shtet ligjor, si dhe qetësi që rikthehet përmes drejtësisë për masakrën e 21 janarit dhe një tërësie kushtesh për të ndërtuar rrugët e reja të zhvillimit ekonomik e shoqëror, për të gjithë njerëzit e zakonshëm të këtij vendi”, - tha kreu socialist.