E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, BE: Shqipëria rrezikon vizat dhe statusin

Mungesa e një zgjidhjeje për krizën politike, mund t’i kushtojë Shqipërisë shumë në procesin e integrimit, ashtu sikurse mund të hapë mundësinë e “ngrirjes” së vendimit për liberalizimin e vizave. Kjo është lënë të kuptohet nga diskutimi me dyer të mbyllura, realizuar mes anëtarëve të Komitetit të jashtëm dhe të Delegacionit për Europën Juglindore në Parlamentin Europian, teksa raportoi i dërguari i posaçëm, Miroslav Lajcak. Siç raporton “Top Channel”, Lajcak ka dhënë detaje për rezultatet e vizitës së javës së shkuar në Tiranë. “Përshkallëzimi i situatës dëmton progresin e Shqipërisë drejt BE-së. Ndërmjetësimi i Parlamentit Europian, negociatat përmes socialdemokratëve dhe partive popullore europiane, drejtueseve diplomatike, të gjitha u zbehën. Nëse situata vijon kështu, kjo do të çojë në një ndalesë të progresit drejt BE-së. Kjo ndalesë duhet të përcillet mirë në mesazhet e familjeve politike”, u shpreh Eduard Kukan, kryetar i Delegacionit për Ballkanin. Ne e duam Shqipërinë, tha ai, por udhëheqësit duhet të zbatojnë ligjin, kanë përgjegjësinë për të ndalur konfliktet, në kuadër të institucioneve demokratike. Në vlerësimin e Kukan, dhuna duhet dënuar, duhet investiguar mbi vrasjet dhe nuk duhet bërë presion ndaj prokurorisë. Drejtori Menaxhues për Ballkanin në BE, Miroslav Lajcak, konstatoi se situata politike është e bllokuar prej mëse një viti e gjysmë. Sipas tij, BE ka reaguar menjëherë me deklarata e veprime. “Unë kam biseduar me liderin e opozitës Rama dhe Kryeministrin Berisha. U takova dhe me zotin Topi. Zhvillova një takim të shkurtër informues me kreun e misionit të BE-së atje. U shpjegova se për BE-në, shqetësimi është i madh. I duhet dhënë fund dhunës, e duhet investigim i plotë, duhet respektuar shteti ligjor dhe se të dy liderët ndajnë përgjegjësinë për këtë”, insistoi Lajcak. Në analizën e tij. hapat për një riangazhim drejt një dialogu për të zgjidhur ngërçin politik, janë të vegjël. “Gjithsesi, të tre mirëpritën vizitën, por të gjithë janë nervozë, të hidhëruar dhe emocionalë. Presidenti Topi është i frustruar, pasi ai është sulmuar si institucion. Nëse dëshirohet, ai mund të luajë një rol më të fortë”, mësohet të jetë shprehur Lajcak. Në rrëfimin e tij, ai ka thënë gjithashtu se “Kryeministri Berisha, nga ana tjetër, qëndroi i rrethuar për 5 orë. Për të, situata ishte e rrezikshme e Garda veproi sipas rregullores, duke bërë punën për të mbrojtur shtetin ligjor. Për liderin e opozitës, Rama, ky regjim i vjetër abuzon me pushtetin. Ai është i gatshëm për dialog dhe kërkon ndihmë nga jashtë”, nënvizoi Lajcak. Libor Roucek, zv/president i PE sugjeroi “provoni përsëri, e përsëri, sillini ata rreth një tryeze ku të jetë i përfshirë dhe komuniteti ndërkombëtar”. Nga ana e saj, Marietje Schaake, eurodeputete holandeze, ka insistuar se “komisioni hetimor u përcaktua nga Kryeministri, ndërkohë që duhet të jetë i pavarur, ndërsa rezoluta u miratua vetëm nga partia në pushtet. A po shkon Shqipëria drejt Tunizisë? Kjo kulturë politike vazhdon prej dekadash, ndërsa tani duan zgjidhje nga ne. Duhet të mbajmë qëndrim të paanshëm”. Më radikal ka qenë në qëndrimin e tij eurodeputeti britanik, Charles Tannock, i cili është shprehur: “historia Sali - Rama nuk solli asgjë. Të shtënat ilustrojnë keqkuptimin e shtetit ligjor. Ata janë në NATO. T’ju vijë turp”. Në vlerësimin e Adrian Severin “shpikja e grushtit të shtetit nuk është surprizë, është zinxhir i pafund krizash. Konkluzionet e Lajcak nuk përmenden se kur është mjaft duhet të themi mjaft më. Nevojitet qëndrim më i fortë”. Më tutje në qëndrimin e tij ka shkuar zv/Kryetari i delegacionit për Ballkanin, Victor Bostinaru, i cili tha se “duhet evituar zgjidhja e njëanshme. Parlamenti Europian duhet të vlerësojë mundësinë për dialog. Të ‘ngrihet’ liberalizimi i vizave, nëse palët nuk flasin me njëra-tjetrën”. Në përfundim të debateve, Lajcak vlerësoi se “për ne, nuk duhet të ketë më gjakderdhje. Institucionet duhet të funksionojnë siç duhet. Njerëzit kanë të drejtë të demonstrojnë. Berishës ia bëra të qartë se duhet dëshmuar puna dhe funksionimi i institucioneve”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›