Daul: PS të shkojë në Prokurori
Kreu i grupit të Partive Popullore Europaine, Joseph Daul thekson se klasa politike duhet të shohë përpara dhe të zbatojnë rregullat që përcaktohen në Kushtetutë. Këtë deklaratë zyrtari i lartë në Parlamentin Europian e bëri dje gjatë një takimi me Presidentin Bamir Topi, në ditën e tretë të vizitës së tij zyrtare në Tiranë. Sipas Daul "palët dhe drejtuesit e lartë politikë shqiptarë duhet të shohin nga e ardhmja demokratike e të zbatojnë rregullat që imponon demokracia në respekt të Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës". Lidhur me çështjen e vizave ai theksoi se "procesi i liberalizimit të vizave për shqiptarët nuk do të ndalet për asnjë arsye, sepse shqiptarët duhet të lëvizin të lirë dhe se Shqipëria, pas përparimeve të mëdha e të dukshme që ka bërë, meriton plotësisht të jetë pjesë e familjes evropiane". Nga ana e tij Presidenti Bamir Topi theksoi në këtë takim se ekzistojnë mundësitë që kjo situatë të tejkalohet në rrugë institucionale. "Me vullnetin politik të palëve, pas rivendosjes së dialogut politik institucional mes maxhorancës dhe opozitës, si dhe me angazhimin serioz të tyre, ekzistojnë të gjitha mundësitë që zgjidhja të vijë në mënyrë institucionale dhe në funksion të demokracisë dhe të interesave të qytetarëve shqiptarëve", u shpreh kreu i shtetit. Gjatë takimit Presidenti Topi vlerësoi kreun e grupit të të djathtëve europianë për rolin e tij të rëndësishëm dhe kontributin e çmuar në zgjidhjen e ngërçit politik në Shqipëri dhe si një nga përkrahësit më të palëkundur të perspektivës evropiane të vendit tonë.
"Opozita në Prokurori"
Në një intervistë për 'Top Channel', kryetari i grupit parlamentar të PPE-së në Parlamentin Europian i sugjeroi opozitës që t'i drejtohet organit të akuzës nëse ka fakte për manipulimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Në të njëjtën kohë ai propozoi edhe një rrugë të dytë, ngritjen e komisionit hetimor, të cilit tashmë i ka përfunduar mandati. "Në çdo rast, çdo gjë është e parashikuar: ata mund të ankohen te prokurori - nëse vërtet ka fakte - apo të ngrenë atë komisionin e famshëm hetimor, në të cilin Kryeministri u ka thënë se do të kenë drejtimin dhe shumicën e komisionit. Pra tani ai duhet ngritur dhe duhet të ecet përpara", tha Daul. Sipas tij "ajo që kam kuptuar, për këtë arsye u takova me maxhorancën, por edhe me opozitën në Kuvend, që m'i shpjeguan mirë gjërat dhe tani do të flas edhe njëherë prapë me maxhorancën për çështje të ndryshme, por besoj se zgjidhja mund të gjendet. Sipas mendimit tim nuk ka bllokim, demokracia mund të avancojë". I pyetur nëse Shqipëria rrezikon të marrë në fund të këtij viti statusin e vendit kandidat për shkak të krizës politike, Daul tha se nëse në Tiranë demokracia do të funksionojë, vendi ynë nuk do të rrezikojë procesin e integrimit. "Dhe për momentin demokracia po funksionon. Kemi opozitën dhe maxhorancën që po punojnë në Parlament. Mendoj se është ky procesi demokratik. Që ka mosmarrëveshje mes opozitës dhe maxhorancës, kjo për mua është gjë e njohur por, siç them shpesh, unë nuk jam maxhorancë, por jam grupi më i madh në Parlament, e nëse duhet që demokracia të funksionojë, më duhet të gjej zgjidhje me kolegët e mi në opozitë, pra me Martin Schulz. Dhe nuk ia kalojmë aq keq", vijoi më tej Daul. Në cilësinë e kreut të grupit më të madh parlamentar në PE, Josef Daul konfirmoi se pavarësisht skepticizmit në disa vende për heqjen e vizave me Shqipërinë, vendi ynë nuk do të rrezikojë asgjë, pasi sipas tij nuk ka arsye për të bllokuar këtë proces.