Presidenca belge: Liberalizimi i vizave, pas plotësimit të kushteve
Pas plotësimit të tri kushteve të mbetura për liberalizimin e vizave, Presidenca belge e Bashkimit Europian për 6 muajt në vijim do të marrë një vendim pozitiv për heqjen e tyre për qytetarët shqiptarë. Kjo ishte deklarata e djeshme e krerëve të Qeverisë belge. Në një konferencë për shtyp, Kryeministri i Belgjikës, Iv Leterme dhe Ministri i Jashtëm, Steven Vanackere folën mbi prioritetet e politikës së jashtme të BE-së në 6 muajt në vijim. Duke folur për liberalizimin e vizave, ata thanë konkretisht se nuk ka një datë të përcaktuar për heqjen e vizave, pasi kjo datë lidhet direkt me plotësimin e kritereve të mbetura. "Pra, kur më pyesni për momentin kur do të marrim një vendim, do të thosha se kjo do të varet nga progresi që do të shohim, apo nga mënyra se si do të plotësohen kushtet e përcaktuara... Ne duam ta shohim këtë çështje pozitivisht, por njëkohësisht do të këmbëngulim te plotësimi i kritereve... Pra, do t'u thosha vendeve që kërkojnë të arrijnë liberalizimin e vizave, "Na ndihmoni, t'ju ndihmojmë!". Në këtë mënyrë, ne mund t'u krijojmë lehtësitë e nevojshme që ata të arrijnë standardet. Sigurisht, gjykimi ynë do të jetë objektiv. BE nuk e konsideron mundësinë e mbylljes së dyerve për këto vende. Ne jemi mjaft të hapur për njerëzit e interesuar për lëvizje të lirë, por kjo duhet të bëhet sipas rregullave", tha Steven Vanackere, Ministri i Jashtëm i Belgjikës. Ai tha më tej se liberalizimi i vizave bazohet tek meritat, por që presidenca belge e BE-së do e shohë me prioritet liberalizimin e vizave me shqiptarët dhe boshnjakët. "Procesi i liberalizimit të vizave bazohet te meritat. Për shumë njerëz, liberalizimi i vizave është një veprim simbolik dhe njëkohësisht praktik... Ne jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e këtij procesi, dhe për këtë arsye këmbëngulim te plotësimi i standardeve të përcaktuara nga BE", tha më tej Vanackere. Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm folën edhe për procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor, duke thënë se do të tentohet të rriten marrëdhëniet mes këtyre vendeve dhe Bashkimit Europian. Presidenca belge do të synojë të afrojë sa më shumë këto vende me Bashkimin Europian, por gjithnjë duke iu besuar reformave integruese që këto vende duhet të ndërmarrin në vijimësi.