Rama: Ne pranuam zgjidhjen, PD jo
Aristir Lumezi
Kreu socialist shpreh gatishmërinë për të zgjidhur krizën dhe akuzon maxhorancën për mungesë vullneti. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, përmes një letre drejtuar krerëve të grupeve parlamentare në Parlamentin Europian, Josef Doll dhe Martin Shultz, e për dijeni edhe të komisionerit për Zgjerim, Shtefan Fyle, ka rikonfirmuar gatishmërinë e Partisë Socialiste dhe opozitës në tërësi për zgjidhjen e krizës përmes dialogut politik. Në letrën e tij dërguar krerëve të grupeve më të mëdha parlamentare në PE, Rama nuk përmend në asnjë rresht domosdoshmërinë e heqjes së vizave të BE-së me Shqipërinë, për të cilën pak ditë më vonë pritet të miratohet në Parlamentin Europian një rezolutë. Duke cilësuar si mjaft të rëndësishme ndërhyrjen e bërë nga dy drejtuesit e lartë të grupimeve të majta e të djathta, kryesocialisti Rama thekson në letër se Qeveria nuk ka treguar dhe nuk po tregon asnjë lloj angazhimi për zgjidhjen e krizës politike. "Me barrën e përgjegjësisë së detyrës për të përfaqësuar jo vetëm partinë time, as edhe thjesht koalicionin opozitar, i cili sot shtrihet majtas e djathtas në një grupim të madh partish në kërkim të transparencës së zgjedhjeve të shkuara, por aspiratën e madhe të Shqipërisë e të shqiptarëve pa dallim për lëvizjen e lirë dhe integrimin europian, unë dëshiroj t'ju bëj me dije se mbetem plotësisht i gatshëm të vazhdoj përpjekjen për gjetjen e zgjidhjes përmes dialogut", shkruan Rama. Në letër kryetari i PS-së thekson se në tryezën e negociatave, opozita ka treguar angazhim maksimal për zgjidhjen e krizës, por sipas tij pala tjetër refuzon çdo zgjidhje që garanton transparencën dhe kushtetutshmërinë. Rama në letër e quan "parësor faktin se Shqipërisë i duhet medoemos konsensusi, pasi në të kundërt, siç kanë theksuar edhe ndërkombëtarët, kjo do të rrezikonte proceset eurointegruese të vendit". "Nuk dyshoj se përfaqësuesit tuaj në tryezën e bisedimeve ju kanë informuar hollësisht për ecurinë e tyre dhe ju kanë treguar për hapat që opozita ka hedhur drejt zgjidhjes. Lejomëni që duke shprehur mirënjohjen edhe për kontributin e tyre të çmuar, t'ju nënvizoj se opozita ka lëvizur cilësisht në kërkim të zgjidhjes, duke shkuar përtej ofertës që vetë ne bëmë në darkën e Strasburgut. Në fund të bisedimeve që pasuan ne pranuam pa ngurrim edhe atë që për ne ishte e pamundur atë darkë, ndërkohë që pala tjetër e refuzoi kategorikisht, siç refuzon tash 10 muaj çdo zgjidhje që garanton transparencën e kushtetueshmërisë", shprehet Rama në letrën e tij. Në përfundim të letrës, kryesocialisti Rama ka shprehur edhe njëherë vullnetin e opozitës për t'i dhënë fund krizës politike, e cila së bashku me paaftësinë e kësaj Qeverie po rrënon çdo ditë e më shumë sipas tij familjet shqiptare. "Sot Shqipërisë i duhet me patjetër një zgjidhje për të hapur rrugën e integrimit, duke përmbushur denjësisht kriterin e Kopenhagenit dhe duke lënë pas një krizë që nuk mund të mbulohet pa u zgjidhur. Shqiptarëve u duhet medoemos një përpjekje e posaçme, e të gjitha forcave politike, për të kapërcyer hendekun e hapur mes tyre dhe Europës, duke i hapur rrugë transparencës si edhe një sërë reformash jetike për demokratizimin, modernizimin, integrimin", thotë Rama.