“Turpërohen” koreanët,Portugalia luan tenis
Leonard Karaj
Nuk është një fitore dosido për Portugalinë. Përveç faktit se luzitanët kanë sigluar për momentin fitoren më të thellë të këtij Botërori, rezulton se 7-0 ndaj Koresë së Veriut është edhe fitorja e tyre më e thellë në një Kupë Bote.
Portugalia ka marrë pjesë në pesë Kampionate Botërore (Angli 1966, Meksikë 1986, Kore-Japoni 2002, Gjermani 2006 dhe Afrikë e Jugut 2010) dhe fitorja e djeshme rezulton më e thella për këtë përfaqësuese. Pesë shënjestra përkatësisht nga Raul Meireles, Simao Sabrosa, Hugo Almeida, Liedson, Kristiano Ronaldo dhe një dopietë e Tiagos, i dhanë skuadrës së drejtuar nga Karlos Keirosh fitoren e parë në këtë kompeticion, pas barazimit pa gola, sigluar në ndeshjen e parë ndaj Bregut të Fildishtë. Koreja e Veriut hodhi në fushë të njëjtën formacion, që la përshtypje të mirë në humbjen 2-1 me Brazilin, por Keiroz bëri katër ndryshime në ekip, në raport me skuadrën që barazoi 0-0 me Bregun e Fildishtë. Tiago zëvendësoi Dekon e dëmtuar në mesfushë, ndërkohë që Almeida dhe Simao iu bashkuan Ronaldos në vijën e parë. Miguel Brito u zgjodh në vendin e Paulo Ferrierës në pozicionin e mbrojtësit të djathtë. Luzitanët e nisës mirë lojën, teksa Ronaldo goditi shtyllën që në minutën e tretë. Më pas erdhën disa raste të koreano-veriorëve derisa iu dorëzuan golit të parë të Meireles. Ky i fundit shfrytëzoi një pas të zgjuar të Tiagos, duke shënuar edhe golin e parë të Portugalisë në këtë Botëror. Goli shokoi koreanët, ndërkohë që portugezët nisën shfaqjen duke u shndërruar nga një autsajder, për të triumfuar me një ekip pretendent për të fituar turneun. Më pas koreanët tentuan sërish për të barazuar me anë të ça Jong Hjok dhe An Jong Hak, por pa sukses. Ndërkohë fakt është se Portugalia nuk e ka kaluar zyrtarisht grupin, por Bregu i Fildishtë (1 barazim, 1 humbje) duhet të fitojë me një diferencë të madhe golash kundër Koresë së Veriut dhe të shpresojë se Portugalia të humbasë po me shumë gola kundër Brazilit. Një barazim midis Brazilit (6 pikë) dhe Portugalisë (4 pikë) bën të pavlefshëm çdo lloj rezultati që mund të arrihet nga Bregu i Fildfishtë. Ndeshja Portugali-Brazil do të luhet të premten në 20:30.
Portugali-Kore e Veriut 7-0
Shënues: Meireles 29', Simao 53', Hugo Almeida 55', Tiago 60', 89’, Liedson 81', K.Ronaldo 88'
Kartonë të verdhë: Mendes 39', H.Almeida 70'/ Jin Pak 32’, Jo Hong 48’
Gjyqtarë: Pablo Pozo (KIL)/ P.Balualto dhe F.Modria
Stadiumi: “Green Point Stadium”
Spektatorë: 63644
Portugalia: Eduardo, Bruno Alves, R.Karvajo, K.Ronaldo, Mendes, Simao (Duda 74’), Miguel, Meireles (Veloso 70’), H.Almeida (Liedson 77’), Tiago, Koentrao. Trajner: Karlos Keirosh
Kore e Veriut: Guk Ri, Hjok ça (çol Nam 75’), Il Ri, çol Pak (Il Kim 58’), çon Ri, Nam Ji, Se Jong, Jo Hong, Guk Mun (Jun Kim 58’), Jin Pak, Hak An. Trajner: Kim Jong Hun
Grupi G/Renditja
Shteti ND F B H P
Brazili 2 2 0 0 6
Portugalia 2 1 1 0 4
Bregu i F. 2 0 1 1 1
Kore e V. 2 0 0 2 0