Fullani: Bankat duhet të ulin interesat
nertila maho
Stabilizimi i normave të interesit që aplikohen nga bankat vendëse dhe përafrimi i tyre me normën bazë të Bankës së Shqipërisë përbën një nga objektivat kryesorë të këtij institucioni. Guvernatori Ardian Fullani gjatë forumit të djeshëm me bankat tregtare bëri me dije se shumë shpejt objektivat operacionale të BSH-së do të orientohen jo më drejt treguesve sasiorë të bilancit. "Banka e Shqipërisë është në fazën finale të procesit të rishikimit të objektivave të saj operacionalë. Së shpejti këto objektiva do të ndryshojnë formën e tyre, duke kaluar nga shënjestrimi i treguesve sasiorë të bilancit të Bankës së Shqipërisë, në shënjestrimin e normave të interesit të tregut ndërbankar", tha Guvernatori. Ai u kërkoi bankave të jenë më të shpejta në ndërmarrjen e veprimeve që nxisin rritjen e aktivitetit dhe rolin e tregut ndërbankar. "Zhvillimi i këtij tregu është një ndihmesë e madhe në aktivitetin e ndërmjetësimit financiar dhe në nxitjen e kreditimit të ekonomisë, duke kontribuar mirëqenien ekonomike e sociale të vendit", theksoi Fullani. Në këtë pikë ai u bëri thirrje bankave që të rrisin edhe kreditimin në lekë. "Bankat mund dhe duhet të jenë aktive në kuotimin e likuiditetit në lekë, duke ndjekur të njëjtin qëndrim si edhe në tregun valutor. Kuotimi i vazhdueshëm do të nxisë një administrim më aktiv të likuiditetit dhe do të mundësojë përcaktimin e një çmimi të vazhdueshëm për të", tha Guvernatori.
Thirrja për më shumë kreditim në lekë, por edhe në valutë e përsëritur herë pas here nga kreu i BSH-së, këtë herë është shoqëruar edhe me thirrjen për një adoptim sa më të shpejtë të politikës së re, e përqendruar te normat e interesit. Sipas tij, këto norma mund dhe duhet të shërbejnë si udhëzues për përcaktimin e çmimeve të produkteve bankare. "Orientimi i operacioneve tona drejt stabilitetit të normave të interesit të tregut ndërbankar do t'i shërbejë funksionimit më të qetë të këtij tregu dhe uljes së primeve të rrezikut në të", detajoi Guvernatori. Pjesë e fjalës së tij ishte edhe shpërndarja eficiente e likuiditetit midis operatorëve të tregut përmes plotësimit të një sërë instrumentesh.