E Diel, 1 Nëntor 2026

“Davis gaboi për afatin, ligji me afat 5 vjecar”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Kryeministri Sali Berisha mbrojti ligjin e dosjeve të kritikuar nga Këshilli Europian, pak orë përpara se ai të dilte në konferencë për shtyp, për mungesë të standardeve europiane. Berisha pohoi se ligji i dosjeve, për vetë përmbajtjen që ka nuk u shpëton dot kritikave, por përsa i perket Shqipërisë, u krijua më shumë mbi baza morale. Për kryeministrin shqiptar, ligjet e dosjeve në Evropën Lindore janë shpikur para se të hartoheshin kriteret europiane. “Ratifikimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian dhe raporti i Komisionit Europian për vitin 2008, përbëjnë bazën ligjore, morale dhe të gjithanshme për Shqipërinë, për të merituar statusin e kandidatit. Këto janë dëshmi e maturimit të saj, për të fituar statusin e kandidatit për vend anëtar të Bashkimit Europian”, tha kryeministri.
Zgjedhjet
Ndërsa shtoi më tej se përsa i përket zgjedhjeve, qeveria zotohet se do te jenë më të lirat dhe më të ndershmet, Berisha tha se: “dua të zotohem me solemnitet dhe seriozitetin më të madh para shqiptarëve se për Sali Berishën objektivi i parë më absolut do të jetë një proces zgjedhor i lirë dhe i ndershëm. Kjo qeveri do të bëjë çdo përpjekje që shqiptarët të votojnë si të gjithë qytetarë europianë. Qeveria, ka bërë investime dhe përpjekje të mëdha, të paprecedent, për një infrastrukturë zgjedhore nga më modernet që ekzistojnë. Qeveria u bën thirrje të gjithë qytetarëve, institucioneve publike dhe private në vend që të japin kontributin e tyre për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Është jetike për ligjin, për moralin, për fytyrën e këtij vendi që të tregojmë të gjithë përkushtimin tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Duke qenë të sigurt se nga ky proces nuk ka të humbur, përkundrazi. Sigurisht që një palë do të fitojë zgjedhjet, ndërsa pala tjetër do të mbetet opozitë, por, në fund të fundit, çdo qytetar shqiptar, i rritur, i moshuar apo fëmijë do të jetë i fituari i këtij procesi”.
Ligji për Lustracionin, kritikat e KE-së
Përsa i përket kritikave të KE-së dhe Sekretarit të saj Terry Devis Kreu i ekzekutivit tha se: “nuk ka ligj lustracioni pa kritika. Dhe kjo për faktin se të gjitha këto ligje kanë një aspekt të kritikueshëm dhe aspekti i kritikueshëm i këtyre ligjeve është kufizimi i të drejtave të njeriut. Por ky është një kufizim i përkohshëm, i sanksionuar si legjitim nga dokumentet e KE-së. Ky proces ka nisur para dokumenteve të KE-së, por ai është në përputhje të plotë me to. Nëse lexoni deklaratën e zotit Davis, thuhet se ligji nuk përcakton një afat, por ju si shqiptarë e dini se ky ligj ka një afat dhe ky afat është 5 vjeçar. Unë mund të pranoj se ka një kufizim të të drejtave, por nuk mund ta pranoj se nuk ka afat. Së dyti, ndershmëria dhe proporcionaliteti janë respektuar plotësisht. Shqipëria ka si shtyllën e ndershmërisë së një akti tre shkallët e gjykatës dhe ne u kemi dhënë atyre të drejtën t i drejtohen tre shkallëve të gjykatës, ndërkohë që vende të tjera nuk e kanë bërë këtë. Po ashtu, ligji nuk është disproporcional. Në të nuk është parashikuar asnjë rekursion social. Ne i jemi përmbajtur parimit të KE-së se ndaj atyre që preken nga ligji nuk mund të përdoren ato parime që ata kanë përdorur kur kanë kryer krime apo kanë shtypur të tjerët. Davis ka të drejtë kur thotë se në ligj është vendosur edhe kandidat për në zgjedhje. Por në moralin e kombit tonë, a do të ishin më shumë se 3 për qind e shqiptarëve që do të pranonin se presidenti, kryeministri, ministri, deputeti të kishin qenë bashkëpunëtorë dhe vartësit e tyre? Unë nuk besoj se do ta pranonte kush këtë. Unë jam i detyruar të respektoj një standard moral të vendit tim. Kush të dëshirojë ta provojë me referendum, por do të merrte 99 për qind të votave kundër të shqiptarëve. Nëse sheh ligjin tonë dhe atë të përgatitur nga socialistët, ky i fundit në pamje të parë duket i pafajshëm, paçka se u hap dosjet të gjithë shqiptarëve, një praktikë kjo terrori. Të gjitha ligjet e lustracionit kanë të bëjnë ata që janë në detyrë. Nuk di asnjë ligj që të mos ketë të bëjë me ata që janë në detyrë, por në mënyrë të kufizuar dhe në një periudhë kohe 5 vjeçare. Unë zotohem se afati nuk do të zgjatet, ne do t i përmbahemi vitit 2014 dhe zoti Rama do të ketë të drejtë t i bëjë të gjithë këta deputetë dhe të mos qahet më tutje. Nëse shikon ligjin, kam shmangur çdo gjë personale. Kam pranuar kritikat, por nuk kam pranuar që gjërat të marrin nuancë personale. Po në aspektin personal, në qoftë se në ligjin e parë, që është marrë tërësisht nga ligji çek, kryeministri ka pasur të drejtën me vendim të bëjë përjashtime, sërish këtë radhë unë nuk e pranova. Kjo mund të ishte objekt kritikash e dyshimesh të ligjshme dhe unë nuk do ta praktikoj një gjë të tillë. Kryeministri nuk do ta ketë të drejtë, por do të jetë komisioni dhe gjykata që do të vendosin”, nënvizoi kryeministri Berisha.
Gjykata Kushtetuese
Ai gjithashtu iu përgjigj interesimit të shtypit, se opozita ka deklaruar që do të çojë ligjin për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, por çfarë ndodh nëse kjo gjykatë nuk ka të drejtë ta shqyrtojë për shkak të konfliktit të interesit, dhe çfarë ndodh nëse ajo merr përsipër ta shqyrtojë? Berisha theksoi për këtë çështje se: “Duhet të dini se konflikti i interesit nuk është invencion i kësaj qeverie dhe kësaj mazhorance. Ai është i lashtë sa vetë drejtësia, vjen nga e drejta romake dhe është në detyrimin moral dhe ligjor të çdo njeriu, gjykatës apo çfarëdo pozicioni që të ketë, të mos marrë pjesë në vendimet ku është në konflikt interesi dhe nuk ka vendim në konflikti interesi të vlefshëm. Je në konflikt interesi, nuk mund të marrësh pjesë në vendimmarrje. Ky vend nuk ka pranuar dhe as nuk mund të pranojë vendimmarrje në konflikt interesi. Kush thotë që dikush paska të drejtë të vendosë për veten e tij?”, tha Kryeministri.
Marrëdhëniet me Topin
Berisha është pozicionuar në konferencën për shtyp edhe mbi marrëdhëniet e tij me Presidentin Topi, për delegacionin në vizitën e tij në Kosovë si dhe mungesën e ambasadorëve në 12 ambasada shqiptare në Botë, duke thënë se: “ Kryeministri Berisha: Nuk jam unë që bëj protokollin e Presidentit, është Presidenti që bën protokollin e tij. Nuk është Kryeministri përgjegjës për protokollin e Presidentit. Duhet të studioni protokollin e shtetit. Secili ka protokollin e vet. Marrëdhëniet janë institucionale. Por që të hyj në përbërje të delegacionit të drejtuesve të tjerë të vendit, absolutisht jo, nuk kam ndërhyrë dhe nuk do të ndërhyj”, tha Berisha.
Ky lajm është publikuar: 17/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›