E Diel, 1 Nëntor 2026

Letrat me vlerë, ish-pronarët të vetmit që përfitojnë

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Qeveria shqiptare në muajin dhjetor të 2008-ës miratoi në një nga mbledhjet e saj projektudhëzimin për rivlerësimin e letrave me vlerë, si dhe vlerësimin e tyre në treg me 80 % të vlerës së objekteve në privatizim të pronave shtetërore të ndrërtuara mbi truallin e pronarëve të ligjshëm. Sipas këtij udhëzimi, qeveria po ashtu ka miratuar edhe procedurën e parablerjes së objekteve shtetërore të nxjerra në privatizim ku më të favorizuarit do të jenë ish-pronarët e tokës. Gazeta “Ballkan”, për të bërë sa më të qartë këtë procedurë si dhe se si do të bëhet vlerësimi i letrave me vlerë me vlerën e objektit që do të privatizohet, shkoi në Drejtorinë Kombëtare të Privatizimeve, ku dhe nxori të gjitha detajet për ketë çështje. Në një prononcim ekskluziv për “Ballkan” burime zyrtare të këtij institucioni bënë të ditur se vlerësimi i letrave me vlerë do të jetë i mundur vetëm për një kategori qytetarësh, atë të ish-pronarëve të ligjshëm të tokës apo truallit në të cilin është ndërtuar objekti në privatizim. Sipas këtyre burimeve, në udhëzimin zyrtar që do të dalë së shpejti dhe do të hyjë në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare, do të pasqyrohen gjithë kriteret, procedura dhe dokumentacioni për parablerjen me letra me vlerë apo bono thesari. Sipas këtij udhëzimi, “Letrat me vlerë dhe bonot do të hyjnë në treg për parablerje dhe blerje vetëm për pronarin e tokës që është ndërtuar godina, që shteti ka vendosur të privatizojë. Brenda 20 ditëve nga shpallja e objektit në privatizim, drejtohet në Drejtorinë e Privatizimeve. Së pari, me kërkesën për blerje të objektit, pagesën e bërë vetëm për 20% të vlerës së objektit, vendimin e Agjencisë së Kthimit dhe Privatizimit të Pronës, prokurë të posaçme, dëshmi tashëgimie, dhe çdo dokumentacion tjetër plotësues që lidhet me pronën. Pas 20 ditëve, Drejtoria e Privatizimeve nxjerr një urdhër dhe thërret një komision, në përbërje të të cilit do të jenë topografë, specialistë lidhur me pronat dhe një jurist. Mbledhin dokumentacionin e duhur, nxjerrin procesverbal, dhe më tej marrin në konsideratë dhe shprehen që personi, i cili ka bërë kërkesën, gëzon të drejtën e parablerjes. Për sa i përket vlerës 20% të objektit, ajo do të paguhet në lekë kesh. Dhe pasi këtë procesverbal të këtij komisioni e miraton edhe drejtori, atëherë drejtoria e privatizimit lëshon një autorizim për vërtetim pronësie ku thuhet se pjesën tjetër vetëm të objektit, jo të truallit, që p.sh mund të jetë 2 milionë lekë të reja, 400 mijë lekë të reja i ka paguar me lekë kesh, pra pjesa e mbetur 1.6 milionë lekë që i takon vlerës do të paguhet nga ish-pronari me letra me vlerë dhe bono privatizimi. Në drejtorinë e privatizimit i interesuari paraqitet vetëm me mandatin e pagesës. Sigurisht që kjo drejtori shikon nëse procedura dhe pagesat janë bërë konform praktikës së mësipërme dhe më pas i jepet ish-pronarit autorizimi i pronës, nënshkruhet kontrata dhe gjithçka përfundon këtu. Për sa u përket objekteve shtetërore që do të kalojnë në proces privatizimi ato do të shpallen në drejtorinë e privatizimeve dhe Ministrinë e Ekonomisë, nëpërmjet afishimeve përkatëse në mënyrë periodike. Vlen të sqarohet se, për sa i përket parablerjes, ky proces i rivlerësimit të letrave me vlerë në treg që është bërë nga qeveria, për sa u përket privatizimeve të objekteve shtetërore, do të kenë të drejtën e parablerjes dhe të blerjes me letra me vlerë, vetëm ish-pronarët e tokës apo të truallit, kjo është përfundimtare. Ndërsa për sa u përket të interesuarve të tjerë ata, nëse gjithmonë nuk është pronari i tokës i interesuar për ta blerë apo nuk ka mundësinë, kjo kategori do të mund ta blejë çdo objekt shtetëror në privatizim, vetëm me lekë kesh, dhe jo me bono apo letra me vlerë. Nuk do të mund të blejnë me letra me vlerë gjithashtu, dhe pse është publikuar se do të përfitojnë, edhe ish-të përndjekurt politikë, të cilët mund të disponojnë letra me vlerë. Nëse ish-pronari i tokës nuk i disponon letrat me vlerë, mund t i konvertojë në treg apo t ua blejë ish-të përndjekurve dhe kujtdo që disponon, apo edhe në Bankën e Shqipërisë. Tashmë ditët në vijim Ministria e Financës dhe ajo e Ekonomisë në bashkëpunim me Drejtorinë e Privatizimeve do të bëjnë publike edhe udhësimin përkatës të procedurës së përmendur me lart, dhe pasi të botohet në fletoren zyrtare do të fillojë hyrja në fuqi e këtij udhëzimi. Në rastet se ish- pronari i truallit nuk disponon lekë apo letra me vlerë të blejë objektin e ndërtuar në pronën e tij, pas dy publikimeve për parablerje vetëm për ish-pronarin me Vendim të Qeverisë, objekti del në ankand. Në qoftë se edhe ditën e ankandit vjen ish-pronari me vlerën e lekëve apo të letrave me vlerë për ta privatizuar, edhe pse ka kërkesa të tjera për privatizim, ato bien dhe të drejtën e privatizimit e gëzon vetëm ish-pronari i truallit. Por nëse edhe në publikimin e tretë ai nuk ka lekë për të bërë pagesën e objektit, atëherë shitet në ankand, i shitet të intersuarit me gjithë truallin apo tokën, dhe ajo vlerë financiare me të cilën është identifikuar pronari i ligjshëm i tokës kalojnë menjëherë në llogarinë për kompensimin e ish-pronarit, kjo për sa i përket truallit.

Dokumentacioni për pronarin e tokës
1. kërkesa për blerje e objektit
2. pagesa e bërë për 20% të vlerës së objektit
3. mandatin e depozitimit të letrave me vlerë - 80% e vlerës
4. vendimin e Agjencisë së Kthimit dhe Privatizimit të Pronës
5. prokurë e posaçme
6. dëshmi tashëgimie

Shqyrtimi i dokumentacionit
1. Pas 20 ditëve Drejtoria e Privatizimeve ngre një komision
2. Komisioni miraton procesverbalin, dhe merr në konsideratë e shprehen, që personi i cili ka bërë kërkesën gëzon të drejtën e parablerjes.
3. drejtoria e privatizimit lëshon një autorizim për pagesat, 20% dhe 80%

Përbërja e Komisionit
1. Topograf
2. Specialist për objektet dhe tokat
3. Jurist

Miratimi për privatizim i objektit
1. drejtoria kontrollon nëse procedura dhe pagesat janë bërë konform praktikës
2. i jepet ish-pronarit autorizimi i pronës
3. nënshkruhet kontrata dhe gjithçka përfundon këtu

Shpallja e objekteve në privatizim
Objektet shtetërore që do të kalojnë në proces privatizimi do të shpallen në Drejtorinë Kombëtare të Privatizimeve dhe Ministrinë e Ekonomisë, nëpërmjet afishimeve përkatëse në mënyrë periodike

Letrat me vlerë, të vlefshme vetëm për ish- pronarët
Vlen të sqarohet se për sa i përket parablerjes, ky proces i rivlerësimit të letrave me vlerë në treg që është bërë nga qeveria, për sa i përket privatizimeve të objekteve shtetërore do të kenë të drejtën e parablerjes dhe blerjes me letra me vlerë vetëm ish-pronarët e tokës apo të truallit, kjo është përfundimtare.

Ky lajm është publikuar: 17/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›