Davos, Berisha i ftuar në Samitin Ekonomik Botëror
Kryeministri Sali Berisha u nis dje në mesditë në Zvicër për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror që zhvillohet në Davos. Ky samit, që konsiderohet edhe samiti më i rëndësishëm në historinë e këtij forumi, do të përqendrohet në trajtimin e problemeve të krizës ekonomike, me të cilat përballet ekonomia botërore, në reformat ekonomike dhe ndryshimet klimaterike. Në të marrin pjesë presidentë, kryeministra, ministra të jashtëm nga mbarë bota, drejtorë dhe administratorë të institucioneve më të mëdha financiare, të korporatave të mëdha, mediave të mirënjohura etj. Gjatë Forumit Ekonomik Botëror të Davosit, Kryeministri Berisha, i cili shoqërohet nga ministri i Punëve të Jashtme, z. Lulzim Basha, do të paraqesë në panelet e tij zhvillimet, reformat e ndërmarra në Shqipëri dhe suksesin e tyre, si dhe potencialet që ofron Shqipëria në fusha të ndryshme. Gjithashtu, Kryeministri Berisha do të zhvillojë edhe një sërë takimesh me personalitete të shquara të politikës, si me Presidentin çek, Vaslav Klaus, Kryeministrin e Turqisë, Reçep Taip Erdogan, Kryeministrin e Suedisë, Fredrik Reinfeld, Kryeministrin e Pakistanit, Sied Jusaf Raza Gillani, me Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Alijev, zëvendëskryeministrin dhe ministrin i Jashtëm belg, Karel de Guht etj., si dhe me personalitete të fushës ekonomike.