E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Me Bullgarinw projekte të përbashkëta zhvillimi



Presidenti i Republikës, Bamir Topi, vlerësoi dje mbështetjen Bullgarisë ndaj Shqipërisë, të shprehur edhe me ratifikimin e Protokollit të Anëtarësimit në NATO, duke shpresuar dhe në ndihmesën e saj në procesin e paraqitjes së kërkesës së Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Z. Topi priti dje në mjediset e Pallatit të Brigadave kryetarin e Komisionit për Çështjet Evropiane të Kuvendit të Bullgarisë, Mladen Çerveniakov dhe delegacionin që e shoqëronte në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin tonë. Biseda mes dy personaliteteve u përqendrua kryesisht në bashkëpunimin ndërinstitucional, por edhe më gjerë, për zgjerimin dhe thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe popujve tanë në shërbim të interesave të ndërsjellë, si dhe në kuadër të përmbushjes së aspiratës euroatlantike të Shqipërisë. Në këtë kontekst, Presidenti Topi vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe, duke e cilësuar Bullgarinë “një vend tradicionalisht mik dhe partner në rrugën e përbashkët të integrimit euroatlantik”. Në këtë takim, duke vënë në dukje se Bullgaria është një faktor i rëndësishëm në rajon, kryetari i shtetit vlerësoi dhe mbështetjen e saj për ftesën për anëtarësim në Samitin e Bukureshtit, duke besuar në vazhdimësinë e saj edhe në të ardhmen, me një bashkëpunim të gjerë në kuadrin e NATO-s dhe përfitimin nga përvoja e çmuar integruese bullgare. Gjithashtu, gjatë bisedës, Presidenti Topi dhe z. Çerveniakov u ndalën dhe në disa prej projekteve konkrete, që mundësojnë rritjen e bashkëpunimit të gjithanshëm mes dy vendeve tona dhe sidomos të atij në fushën e ekonomisë, energjitikës etj. Kështu, u vlerësua rëndësia e realizimit të projekteve domethënëse si Korridori 8, çfarë do t’i jepte një përparësi të veçantë zhvillimit më të shpejtë të vendeve të rajonit në përgjithësi. Kreu i shtetit shqiptar theksoi nevojën e rritjes së nivelit të marrëdhënieve ekonomike dhe shkëmbimeve tregtare “ku një rol parësor do të luante liberalizimi i regjimit të vizave nëpërmjet vullnetit të përbashkët politik”.

Komisioni i Ligjeve ndërhyn sërish në Kodin Zgjedhor

Për shkak të një projektligji të qeverisë, që pritet të votohet në seancën plenare të së enjtes, në Kodin e ri Zgjedhor mund të bëhen ndërhyrje të tjera. Bëhet fjalë për ndryshimin e ligjit ekzistues për dokumentet e identitetit të shtetasve shqiptarë, i cili ndryshon emërtimin nga kartë identiteti në letërnjoftim. Terminologjia e re e shqipëruar do të sjellë ndryshimin e të gjitha ligjeve relative me këtë dokument. Anëtari i Komisionit të Ligjeve, socialisti Bashkim Fino, bëri dje të ditur: "Ky projektligj duhet të aplikohet në të gjitha ligjet e tjera. Për shembull në Kodin Zgjedhor, duhet të quhet letërnjoftim, jo si kartë identiteti. Prandaj e kam fjalën që të gjitha ndryshimet që sjell ky projektligj që ne e shqipërojmë më së fundi, dhe shumë mirë që i bëjmë ligjet e shqipëruara, duhet të sjellin efekte dhe në projektligjet e tjera të cilat janë të mangëta ose janë ndërtuar mbi bazën e fjalëve të kartës së identitetit". Por socialistët kanë pasur rezerva dhe për faktin se qeveria ka përdorur emërtimin e ri para se Kuvendi të miratojë projektligjin në fjalë. Blendi Klosi u shpreh: "Qeveria merr vendime në kundërshtim me ligjet e Parlamentit dhe i kërkohet tani Parlamentit, duke e vënë para faktit të kryer, që të marrë një vendim për ndryshimin e termit nga kartë identiteti në letërnjoftim, pasi qeveria e ka bërë njoftimin. “Ky është shqetësimi që ngritëm në seancën e Komisionit të Ligjeve, që qeveria e ka vënë Komisionin e Ligjeve, gjithë Parlamentin para faktit të kryer".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›