Kryeministri Berisha shkarkon kreun e Tatimeve
Pas kritikave që drejtuesit e Ministrisë së Financave i adresuan në analizën vjetore, Kryeministri Sali Berisha firmosi dje shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të Tatimeve z. Arben Sefgjini. Ai do të zëvendësohet nga Artur Papajani, ish-drejtor i TVSH-së në administratën tatimore. Ky shkarkim erdhi pas analizës vjetore të kësaj drejtorie, në të cilën u kritikua mënyra e drejtimit të tatimeve nga ana e z. Sefgjini. Lajmi është konfirmuar edhe nga Ministria e Financave, duke bërë të ditur motivin e shkarkimit sipas të cilit, ky vendim është bazuar në faktin se Sefgjini nuk ka kryer si duhet detyrën e tij si drejtor i përgjithshëm i Tatimeve. Ndërkohë është bërë menjëherë i ditur emri i kreut të ri të Tatimeve, i cili do të zëvendësojë Sefgjinin dhe bëhet fjalë për Artur Papajanin, që më përpara ka mbajtur postin e drejtorit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Gjatë analizës vjetore të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, zv.ministri i Financave, Florion Mima, kritikoi për arbitraritet administratën tatimore, të drejtuar nga Arben Sefgjini. Ky i fundit është gjithashtu nën akuzë për zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha. Sefgjini ka mbajtur postin e drejtorit të SHIK-ut të Tiranës në vitin 1995, kur u zhduk shqiptaro-maqedonasi Hoxha. Për këtë çështje ai është arrestuar dhe liruar më pas për shkak të mungesës së provave dhe fakteve. Në vitin 2006, Prokuroria e Përgjithshme rihapi dosjen “Hoxha” dhe një vit më vonë dërgoi për gjykim Arben Sefgjinin. Ai akuzohet edhe për rrëmbimin dhe torturimin e dy shtetasve të tjerë, Ziso Kristopulli dhe Avdyl Loshaj. Në periudhën 2006-2007 Sefgjini ka mbajtur detyrën e drejtorit të përgjithshëm të Përmbarimit dhe më pas ai kaloi në postin e drejtorit të përgjithshëm të Tatimeve, detyrë që e ka mbajtur edhe gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor. Por ndonëse i “mbijetoi” largimit nga detyra gjatë këtij procesi gjyqësor, Kryeministri Sali Berisha vendosi vetëm dje shkarkimin e Arben Sefgjinit nga kreu i Tatimeve. Vendimi erdhi nga Këshilli i Ministrave dhe mësohet që Sefgjini është emëruar në një post tjetër, por ende nuk bëhet e ditur detyra e tij e re. Sipas burimeve të Ministrisë së Financave, Sefgjini është shkarkuar me vendim qeverie, dokument i cili nuk është publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave. Me të njëjtin vendim, Kryeministri emëroi në vend të Sefgjinit, Artur Papajanin. Shkarkimi i Sefgjinit vjen pak ditë pas kritikave të ashpra që zv.ministri i Financave, Florion Mima, i drejtoi administratës tatimore, duke kërkuar shërbim për biznesin dhe jo vendosje si kriter vetëm mbledhjen e të ardhurave. Gjatë gjithë qëndrimit të Sefgjinit në krye të Tatimeve ai është përballuar njëkohësisht edhe me gjyqin për çështjen e zhdukjes se biznesmenit Remzi Hoxha.