E Diel, 1 Nëntor 2026

Davutogllu: Turqia mbështet Kosovën në procesin e njohjes

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në takimin e zhvilluar me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Ahmet Davutogllu, ka ritheksuar angazhimin e Qeverisë për thellimin e bashkëpunimit rajonal, në interes të paqes, stabilitetit dhe zhvillimit të gjithëmbarshëm të vendeve të rajonit.
“Në këtë bashkëpunim, roli i Kosovës është dhe do të vazhdojë të mbetet pozitiv dhe inkurajues, në funksion të përmbushjes së plotë të standardeve dhe kritereve evropiane të integrimit”, tha kryeministri i Kosovës.

Ai falënderoi shefin e diplomacisë turke për mbështetjen e vazhdueshme që Turqia i ka dhënë Kosovës në procesin e pavarësisë dhe në procesin e zhvillimit dhe të njohjeve të reja. Thaçi foli edhe për përkushtimet për shtrirjen e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, me theks të veçantë në pjesën veriore të vendit, duke shtuar se vendimet e fundit të Qeverisë janë legjitime dhe kushtetuese. Thaçi e Davutogllu diskutuan edhe për procesin e njohjeve të reja të Kosovës dhe për rolin që ka Turqia në mbështetje të këtij procesi të rëndësishëm.
 

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë fillimisht falënderoi Thaçin për pritjen e përzemërt dhe vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve. Ai theksoi se ky bashkëpunim do të thellohet edhe më tej dhe se Turqia do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në procesin e njohjeve të reja, pasi ky proces, si u shpreh ai, është në interes të mbarë rajonit. Davutogllu gjithashtu theksoi se Turqia mbështet integritetin territorial të Kosovës dhe të drejtën e qeverisë së saj për të shtrirë autoritetin e vet në të gjitha pjesët e vendit.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›