Ish pjesëtari i UÇK-së pranon: Unë jam fajtor

Ish-pjesëtari i UÇK-së, Shefqet Kabashi, ka pranuar para Tribunalit të Hagës se është fajtor për shpërfillje të gjykatës, që e ka bërë me refuzimin për të dëshmuar në gjykimin e parë të Ramush Haradinajt.
“Unë jam fajtor”, ka thënë Kabashi, pasi gjykatësi Alfons Ori i ka lexuar dy pika të aktakuzës që e ngarkojnë atë për refuzim të qëllimshëm për t`iu përgjigjur pyetjeve të prokurorëve.
Sipas rregullave të Tribunalit, Kabashi mund të dënohet me 100 mijë euro ose me burgim deri në shtatë vjet. Rigjykimi i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj dhe dy të akuzuarve të tjerë, Idriz Balaj dhe Lah Brahimaj, ka nisur më 18 gusht. Kabashi edhe në këtë proces nuk ka pranuar t`iu përgjigjet pyetjeve të prokurorit dhe të mbrojtjes.