Dëborë në Tiranë, probleme në rrethe
Temperaturat e ulëta sollën borë dhe në Tiranë. Për më pak se 1 orë, kryeqyteti i është gëzuar reshjeve të dëborës. Por, ndërsa në Tiranë nuk është shkaktuar asnjë problem prej saj, në rrethe të ndryshme të vendit ka vështirësi në qarkullim, për shkak të trashësisë së borës. Ministria e Punëve Publike dhe Transportit njoftoi dje se situata në akset rrugore paraqitet me probleme, megjithëse ato nacionale rezultonin të kalueshme gjatë pasdites. Nga ana tjetër, Drejtoria e Rrugëve ka nxjerrë borëpastrueset në terren, si dhe punëtorët për të hedhur skorje në rrugë. Problemet janë shfaqur në Llogara, ku një numër i madh makinash e kishin të vështirë të lëviznin. Në rrugët e qarqeve, Kukës, Dibër e Elbasan, drejtuesit janë detyruar që të pajisen me zinxhirë, ku më problem janë kthesat malore.