E Diel, 1 Nëntor 2026

Agjencitë: Shumica e biletave u prenotuan nga “brezi i tretë”

/* */

Dita e djeshme në Tiranë kishte të tjera ritme pune për këto agjenci, ku flukset e njerëzve ishin në rritje. Dhe sikurse dhe mësuam, kjo situatë ka ditë që ka filluar. Sot, kur vendimi për liberalizimin e vizave me zonën Shengen hyn në fuqi, pritet që të nisen edhe shqiptarët e parë drejt destinacioneve për të cilat kanë rezervuar biletat javë më parë. Si për ironi, ata që duan të kapin të parët kohën janë brezi i tretë dhe këtë e

konfirmojnë edhe punonjësit e agjencive. “Ka rezervime nga të gjitha moshat, por vihet re një tendencë e brezit të tretë për të udhëtuar drejt Greqisë dhe Italisë, për të takuar familjarë të tyre atje, kryesisht fëmijët”, shprehet njëra prej punonjësve të agjencisë “Albturist”, në Tiranë. Rezervimet për bileta janë të shumta, sidomos për autobusët dhe tragetet, kjo e kufizuar edhe nga fakti që këto dy mënyra transporti sigurojnë çmime më ekonomike, por sigurisht edhe rezervimet për të udhëtuar me avion nuk janë të pakta. Punonjësja e agjencisë “Cosmos” konfirmon se për të shfrytëzuar këtë mundësi të shumëpritur, shqiptarët nuk janë kursyer tek lekët, edhe për të prerë në masë bileta avioni. “Ne si agjenci punojmë përgjithësisht me bileta avioni dhe mund t’ju konfirmoj që ka një rritje të numrit të atyre që kërkojnë të udhëtojnë jashtë. Kuptohet, ne krahasimin e bëjmë me situatën e mëparshme, por rezervime për bileta kemi pasur shumë”, thotë ajo.
“Frika” e ditëve
të para
Rezultat i paragjykimit apo frikës, të pamësuar të udhëtojmë pa viza, duket se për shqiptarët do të duhet pak kohë sa të mësohen me idenë. “Ka pasur mjaft rezervime për ditët e para të liberalizimit, por më së shumti fluksi fillon diku aty nga data 20 deri më 30 dhjetor. Të paktën njerëzit shprehen se duan të shohin sesi do shkojë puna me ata që do udhëtojnë të parët dhe pastaj të nisen dhe vetë”, shprehet punonjësja e agjencisë “World Wide”, duke përshkruar datat më të preferuara për udhëtime. Falë flukseve të larta të njerëzve për bileta udhëtimi, duket se agjencitë kanë pasur kohë të bëjnë edhe një vëzhgim të plotë të tendencave që shoqërojnë këtë moment për shqiptarët. “Përgjithësisht, destinacionet më të preferuara mbeten Italia, Greqia dhe më pak Brukseli, Vjena apo Berlini. Njerëzit kanë braktisur paketat turistike. Ndërkohë, për kohën që do të qëndrojnë jashtë, kanë vendosur ta organizojnë vetë axhendën ose të “strehohen” tek të afërmit”, shprehet punonjësja e agjencisë “Cosmos”. Duket se ky liberalizim vizash shqiptarëve do t’u shërbejë si fillim më shumë për t’u çmallur me të afërmit që ndodhen nëpër Europë, sesa për qëllime turizmi.
Ende të paqartë
Shumë prej udhëtarëve që tashmë kanë prerë biletat e udhëtimit për destinacionet e tyre të preferuara, janë ende të paqartë për kushtet që duhet të plotësojnë për udhëtimin e tyre të parë pa viza. “Shumë prej njerëzve vijnë këtu të interesohen për rregullat, më së shumti për pjesën e parave që duhet të kenë me vete, apo për dokumentet. Vihet re që janë ende të paqartë. Gjithsesi, ne për t’u ardhur në ndihmë kemi afishuar edhe rregullat që janë vendosur nga takimi me agjencitë i ministrit të Brendshëm, ku bëhet një përmbledhje e rregullave”, shprehet punonjësja e agjencisë “World Wide”.

Pa viza në BE, 50 qytetarët e parë në Bruksel

 

Gati 6 orë pas hyrjes në fuqi të vendimit të Brukselit për të hequr vizat, 50 qytetarë shqiptarë do të jenë të parët, që në mënyrë simbolike do të kalojnë kufirin. Ministria e Brendshme ka organizuar një tur takimesh me një grup qytetarësh dhe gazetarësh në Bruksel dhe Romë, me zyrtarët më të lartë të Bashkimit Europian. Të shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, këta qytetarë do të priten në takime të veçanta nga përfaqësues të lartë të Komisionit, Këshillit dhe Parlamentit Europian. “Një pritje është rezervuar nga drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit, z. Pierre Mirel dhe shefi i Njësisë për Marrëdhëniet me Jashtë në Komisionin e Punëve të Brendshme, z. Luigi Soreca, si dhe një përfaqësues i Presidencës belge të Bashkimit Europian. Në axhendën e vizitës për këta qytetarë është parashikuar një vizitë në Parlamentin Europian”, thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Brendshme. Më tej, 50 vizitorët nga Shqipëria do të zhvillojnë një takim të posaçëm me komisionerin për Zgjerimin të Bashkimit Europian, Stefan Fyle, kryetarin e Delegacionit për Ballkanin në Parlamentin Europian, Eduard Kukan dhe eurodeputetet Doris Pack e Tanja Fajon, e cila ka qenë lobuesja më e fortë në Bruksel e Strasburg për heqjen e vizave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Me një videomesazh do të përshëndesë këtë takim edhe Presidenti i Parlamentit Europian, Jerzy Buzek. Ditën e enjte, më 16 dhjetor 2010, vizitorët nga Shqipëria do të takohen me komisioneren për Çështjet e Brendshme, Cecilia Malmstrom. Pas këtij takimi dhe një turi shëtitës në qytetin e Brukselit, 50 udhëtarët e parë të lëvizjes së lirë në Europë, do të fluturojnë nga Brukseli për në Romë, Itali. Në Romë do të zhvillohet një takim me ministrin e Jashtëm, Franco Frattini. Më tej, qytetarët do të vizitojnë muzeun Capitolini dhe sallën e firmosjes së Traktatit të Romës. 50 qytetarët, të shoqëruar edhe nga një grup i gjerë gazetarësh, do të kthehen në Tiranë rreth orës 22:30 të ditës së enjte, datë 16 dhjetor 2010.

 

NERTILA MAHO

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›