Përmbytjet, plan me Malin e Zi për të shpëtuar Shkodrën
Ngjarjet e fundit në Shkodër çuan qeverinë shqiptare dhe atë malazeze drejt nënshkrimit të një marrëveshjeje të përbashkët që parashikon mes të tjerash dhe thellimin e lumit Buna. Kanë qenë dy ministrat e Mjedisit të të dy vendeve, Fatmir Mediu dhe Milutin Simovic, të cilët paraditen e djeshme firmosën memorandumin e mirëkuptimit, me qëllim
bashkëpunimin për realizmin e përshpejtuar të projektit të rregullimit të regjimit ujor të pellgut ujëmbledhës të liqenit të Shkodrës, lumit Buna dhe lumit Drin. Takimi mes dy ministrave dhe nënshkrimi i memorandumit është bërë në ambientet e Bashkisë së Shkodrës.
Ministri Mediu u shpreh se, "projektet do të jenë të përbashkëta dhe çdo ndërhyrje në Bunë do të bëhet në bazë të projekteve të hartuara nga specialistët përkatës dhe me miratimin e të dyja palëve". Ndërsa ministri i Malit të zi, Milutin Simoviç, theksoi faktin se të dy shtetet tona kanë përjetuar momente të vështira nga përmbytjet. "Ndaj ka dalë si domosdoshmëri hartimi i planeve të përbashkëta. Ne jemi të gatshëm në çdo kohë për të realizuar projektet për të cilat do të biem dakord. Duhet të jemi të qartë në faktin se realizimi i këtyre projekteve kërkon kohë". Nisur nga teksti i memorandumit të nënshkruar, mësohet se të dy palët, ajo shqiptare dhe ajo malazeze, synojnë pastrimin e shtratit të liqenit dhe të lumit Buna, si dhe largimin e të gjitha pengesave artificiale, (mbeturina të urave të shkatërruara, anijeve të mbytura, mbetjeve nga drunjtë, etj); pastrimin e shtratit rreth urave ekzistuese për të parandaluar ngadalësimin e rrjedhshmërisë përgjatë lumit të Bunës; thellimin, zgjerimin (ku është e mundur) dhe rehabilitimin e shtratit të lumit të Bunës; pastrimin e grykëderdhjes së lumit të Bunës në det si dhe rishqyrtimin e kuotave të argjinaturës. Gjatë takimit të djeshëm, ministri Mediu ka bërë të ditur faktin se po dje, një firmë italiane ka nisur punën, duke përcaktuar batimetritë e grykëderdhjes së lumit Buna, me qëllim ndërhyrjen konkrete sa më të shpejtë. "Njëkohësisht, brenda muajit mars do të paraqesim projekte afatmesme për ndërhyrjen në Bunë që të minimizohet rreziku i përmbytjeve", pohoi ministri i Mjedisit. Në takim është rënë dakord që të punohet me dy lloje masash: afatshkurtra dhe afatgjata. Si masë afatshkurtër është menduar pastrimi i shtratit të lumenjve, heqja e mbeturinave, thellimi ku është i mundur i lumit Buna, rishqyrtimi i kuotës së argjinaturës, pyllëzimi i brigjeve të argjinaturave, etj. Masat afatshkurtra do të financohen nga secila palë për llogari të tyre, me fonde të buxheteve të shteteve përkatëse, ose duke përdorur bashkëpunimin mes shtetit dhe privatit. Ndërsa masat afatgjata, parashikojnë hartimin e planeve të menaxhimit të pellgut ujëmbledhës të liqenit të Shkodrës, lumit Buna dhe Drin, hartimin e projektit të plotë të regjimit ujor të liqenit të Shkodrës, Bunës dhe Drinit dhe degëve përkatëse. Financimi i masave afatgjata do të realizohen nëpërmjet donatorëve ndërkombëtarë dhe fondeve të kreditimit me anë të aplikimeve të përbashkëta, pasi bëhet fjalë për projekte me kosto shumë të lartë.
Ndihmat
Qendra e Biznesit Mysliman Shqiptar, në bashkëpunim me Bashkinë Elbasan, kanë dërguar dje 10 ton ndihma për familjet e përmbytura si pasojë e katastrofës natyrore në zonën e Shkodrës. Katër mjete të tipit furgon janë nisur dje nën kujdesin e koordinatorit Arben Ramkja drejt Shkodrës. Për kreun e Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, "dhënia e ndihmave humanitare nga biznesi elbasanas është një shembull i mirë i solidaritetit si edhe një iniciativë, e cila do t´i shërbejë të gjithë komunitetit të Elbasanit për të dhënë kontributin për bashkatdhetarët tanë, të cilët po kalojnë ditë të vështira". Ndërsa Ramkaj deklaroi se "ky është kontingjenti i parë i ndihmave, ndërsa të tjera do të ketë edhe në ditët në vijim, për t'u qëndruar sa më pranë qytetarëve që kanë nevojë më shumë se kurrë për mbështetjen tonë". a.k
Situata dje
Fierza
Prurjet             400 m3/s
Niveli i liqenit          287.01 metra
Niveli maksimal      296 metra
Derdhjet porta                845 m3/s
Komani
Prurjet            1000 m3/s
Niveli i liqenit         171.19 metra
Niveli maksimal      175 metra
Derdhje porta                 849 m3/s
Vau i Dejës
Prurjet            668 m3/s
Niveli i liqenit         73.33 metra
Niveli maksimal      76 metra
Derdhjet porta                745 m3/s
Â
SHKODER/ RIDVAN DIBRA