E Diel, 1 Nëntor 2026

U kap me armë në Tiranë, Kelmendin e spiunuan në bar

/* */

Sipas vendimit të gjykatës, mesditën e datës 1 dhjetor, policia ishte sinjalizuar se një person në një lokal përballë godinës së Parlamentit kishte një armë me vete. Po sipas vendimit, pas hyrjes së policisë në lokal, Kelmendi kishte tentuar të fshihte pistoletën, që e mbante pa leje, duke e lënë në tavolinën ngjitur me atë ku ishte ulur. "Nga studimi i materialeve rezulton se, me datë 01.12.2010, është arrestuar në flagrancë shtetasi , pasi dispononte armë zjarri luftarake pa leje të organeve kompetente. Konkretisht, shtetasi Ylli Kelmendi është me banim në qytetin e Tiranës. Me datë 01.12.2010, rreth orës 13:00, patrulla e Policisë së Shtetit ka marrë një njoftim se në lokal 'Relax', që ndodhet në rr. 'Xhorxh Bush', ndodhet një person i armatosur. Menjëherë pas marrjes dijeni të këtij njoftimi, patrulla e Policisë së Shtetit ka shkuar në atë vend. Gjatë kontrollit të ushtruar, është konstatuar se shtetasi Ylli Kelmeni, në momentin e hyrjes së punonjësve të Policisë së Shtetit në lokalin ku ndodhej dhe vetë ai, ka nxjerrë nga brezi një armë luftarake dhe ia ka lënë në tavolinën ngjitur shtetasit A.K. Pas konstatimit të këtij fakti, është bërë kapja në flagrancë e shtetasit Ylli Kelmendi", thuhej në arsyetimin e vendimit të gjykatës. Po në vendim përmendej edhe arsenali i armatimeve i gjetur pas prangosjes së Kelmendit në banesën e tij. "Gjatë kontrollit të ushtruar janë gjendur e sekuestruar një armë zjarri mod.56, një armë zjarri kalibër 9 mm, si dhe 1050 copë fishekë luftarakë, të cilat mbaheshin pa leje të organeve kompetente", citonte gjykata. Në përfundim, toga e zezë që ka shpallur vendimin, gjyqtari Arben Kostandini, vlerësonte si të ligjshëm ndalimin e Ylli Kelmendit dhe caktonte si masë sigurie për të atë të "arrestit me burg". Emri i Ylli Kelmendit është përmendur herë pas here si një nga dëshmitarët okularë të ngjarjes së vrasjes së Fatmir Ramës në vitin 2003, tek "Kartodromi". Kelmendi cilësohet si dëshmitar "kyç" në procesin ndaj Lavdërim Tufës në Gjykatën e Tiranës, i akuzuar si autor i kësaj ngjarjeje. Ndonëse u njoftua disa herë si dëshmitar i prokurorisë dhe i mbrojtjes, Kelmendi nuk u paraqit në proces. Në 9 qershor, gjykata vendosi të mos e njoftonte më Kelmendin, duke i konsideruar të konsumuara të gjitha mënyrat e njoftimit që përdor gjykata, përfshi atë të "paraqitjes së detyruar".

 

ARMAND BAJRAMI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›