Shkodër, hapen rrugët e qytetit për makinat
SHKODER - Që nga dita e djeshme, në qytetin e Shkodrës mund të udhëtohet pa asnjë problem, me çdo lloj automjeti. Kjo ndodh pas plot 2 javësh që nga përmbytja masive. Ndërkohë, vazhdon të mbetet problem qarkullimi për në drejtim të lagjes Shirokë. Banorët e lagjeve të qytetit të Shkodrës, kryesisht Xhabie, Tophanë dhe të një pjese të mirë të lagjes "Ahmet Haxhia", janë rikthyer në shtëpi dhe në njësitë tregtare, duke filluar të bëjnë paraprakisht bilancin e dëmeve dhe të sendeve që kanë mundur të shpëtojnë. Njëkohësisht, paralel me banorët, njësitë e zjarrfikësve të ushtrisë të ardhura për ndihmë në qytetin e Shkodrës gjatë gjithë ditës së djeshme kanë bërë larjen e akseve rrugore që janë liruar nga sipërfaqja ujore. Më pas, punonjësit e Ndërmarrjes së Ujësjellësit kanë hyrë në veprim, duke bërë dizinfektimin e sipërfaqeve të lara, me klor. Këto janë masat e para që po merren në lagjet e dala nga përmbytjet, me qëllim evitimin e ndonjë epidemie në këto zona. Tashmë në lagjen Xhabie, edhe pse në aksin rrugor vazhdon të ketë prani uji, lirimi i trotuareve u ka mundësua banorëve që të lëvizin lirshëm nëpër shtëpitë e tyre. Në konvikte, nga pjesa e banorëve të qytetit, vazhdojnë të qëndrojnë vetëm ata të zonës së Livadheve. Banesat e tyre ndodhen më në thellësi të liqenit të Shkodrës, se sa lagjet Xhabie, Tophanë apo "Ahmet Haxhia". Shtabi i Emergjencave Civile të Bashkisë Shkodër po shikon mundësinë e ndërprerjes së ndihmave ushqimore, pasi tashmë banorët mund të lëvizin lirisht dhe për ta nuk ka problem për furnizimin me ushqime.