De Biasi favorit për Shqipërinë

Gianni De Biasi pritet të emërohet trajneri i ri i Kombëtares shqiptare. Sipas medieve në Tiranë, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) paraprakisht ka arritur marrëveshje me trajnerin italian, ndërsa tashmë pritet vetëm zyrtarizimi.
55-vjeçari mund të prezantohet në krye të ekipit kuqezi në fillim të javës së ardhshme. Ish-trajneri i Udineses, Torinos e Brescias ka fituar garën me bashkëkombasit e tij, Mario Beretta dhe Benito Carbone, të cilët vlerësoheshin si kandidatë potencialë për ta marrë drejtimin e Shqipërisë.
Ekipi kuqezi deri së fundmi ishte drejtuar nga selektori kroat Josip Kuze i cili dha dorëheqje nga ky post në tetor.