E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mirëpresin mos dhënien e statusit të kandidatit për Serbinë

Subjektet politike vendore mirëpresin vendimin e Këshillit të Ministrave të BE-së për shtyrjen e statusit kandidat Serbisë, duke e kushtëzuar atë me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe implementimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash në procesin e dialogut, por shprehen të ndara sa i përket përfitimeve që ka pasur vendi ynë nga samiti i liderëve evropianë në Bruksel.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, në lidhje me këtë ka thënë se Kosova ka arritur që t’ia pamundësojë Serbisë që të marrë statusin e kandidatit të BE-së. Ai gjithashtu është zotuar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të jenë të angazhuara për t’i mbrojtur interesat e vendit.

“Serbia duhet të pranojë kushtet që janë vendosur nga BE-ja dhe duhet t’i përmbushë këto kushte një nga një, prandaj ne nuk kemi se përse frikësohemi dhe nuk kemi nevojë të merremi shumë me atë që bënë Serbia, por duhet të mendojmë për të arriturat dhe se çka duhet të bëjë Kosova për të ecur përpara”, ka thënë Grabovci.

Por ndryshe nga Grabovci, shefi i GP të LDK-së, Ismet Beqiri, shprehet më i rezervuar kur bëhet fjalë për progresin e vendit në rrugën e integrimeve në BE, pasi sipas tij një gjë e tillë mund të arrihet vetëm nëse luftohet shkalla e lartë e korrupsionit dhe përmes forcimit të sundimit të ligjit.

“Sigurisht se nuk mund t’i gëzohemi faktit se çështja e marrjes së udhërrëfyesit ose udhëzuesit për liberalizim të vizave, sepse realisht nuk ka asgjë prej asaj punën realisht është shlyer. Kjo na vije keq se do të ishte interes i gjithë qytetarëve dhe nuk është interes i një partie politike. Por nganjëherë dëshira jonë dhe ngutia për të thënë se mirë i kemi punët në këtë drejtim dëshmon se nuk është ashtu, dhe në vend që të egzaltohemi si udhëheqje qoftë në këtë rast pozita më shumë, sepse këtyre iu bie barra. Ne duhet të punojmë më tepër që vërtet të kryhet puna e pastaj të shpallin suksesin dhe jo të ndodhë e kundërta”, ka thënë Beqiri.

Shtyrja e statusit të kandidatit Serbisë nga ana e BE-së për shefin e GP të Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri është një hap i mirë, por ai konsideron se me vazhdimin e dialogut në Bruksel Serbisë do t’i mundësohet që ajo indirekt t’i plotësojë kushtet për të hyrë në BE.

“Ne mendoj se trysnia me e madhe që t’i shkojë Serbisë duhet të jetë nga Kosova, por natyrisht edhe nga instancat tjera ndërkombëtare të cilat fatkeqësisht Qeveria e Kosovës nuk po i përdor”, ka thënë Ymeri.

Ahmet Isufi nga AAK-ja, ka vlerësuar se ajo që mund të konsiderohet si sukses në këtë drejtim është vetëm ajo që Serbisë nuk iu dha statusi i kandidatit të BE-së.

“Njëra gjë e mirë e kësaj seance ka qenë mos lejimi që Serbia të marrë statusin e kandidatit, sepse nuk e meriton dhe tjetra se është neglizhuar çështja e Kosovës dhe nuk është përmendur fare. Ky është treguesi kryesor se diplomacia e Kosovës dhe angazhimi i institucioneve të Kosovës duhet të jetë shumë më i fuqishëm duke pasur parasysh interesin e vendit”, ka thënë Isufi. (Kosovapress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›