De Biasi me risi

Selektori i ri i Kombëtares shqiptare, Gianni de Biasi, të premten ka publikuar listën e futbollistëve të ftuar për ndeshjen miqësore kundër Gjeorgjisë, e cila do të zhvillohet me 29 shkurt në Tbilisi.
Trajneri italian do ta nisë me risi aventurën në ekipin kuqezi. Ai për këtë përballje në ekip ka ftuar disa emra të rinj, si sulmuesin Edgar Çani, i cili po shkëlqen në elitën e futbollit polak me skuadrën e Polonia Warsaws.
“Për mua është hera e parë dhe ndihem shumë i motivuar. Ende nuk e kam takuar De Biasin, kam folur në telefon dhe besoj se është trajneri i duhur për skuadrën tonë që të rifillojë diçka të re. Kohët e fundit ka pasur disa probleme edhe brenda federatës, duhej një ndryshim drejtimi, një projekt i qartë. Kam shumë besim, Shqipëria mund të jetë e gatshme të përballet me këdo nga rivalët e saj”, ka thënë Çani për mediet shqiptare.
Po ashtu risi tjetër është thirrja e sulmuesit të ekipit zviceran Locarno, Armando Sadiku, i cili gjithashtu po kalon nëpër një formë të shkëlqyeshme si dhe mesfushorin e ekipit turk Caykur Rizespor, Hair Zeqiri.
Ish trajneri i Torinos, i Brescias e i Udineses për ndeshjen kundër Gjeorgjisë jashtë skuadrës ka lënë sulmuesin e Sienas, Erion Bogdanin, i cili kohëve të fundit ka vuajtur nga një lëndimi si dhe ka pasur pak paraqitje në Serie A këtë sezon me ish ekipin Cesena.
Gjithashtu jashtë ekipit ka mbetur edhe sulmuesi i rrezikshëm Hamdi Salihi. Ky i fundit nuk është përfshirë në listë, pasi ditë më parë i është bashkuar klubit të ri nga elita e futbollit amerikan DC United.
Për këtë takim De Biasi nuk do të ketë në dispozicion dy mesfushorë të spikatur, Lorik Canën dhe Debatik Currin, që të dy janë në fazën e rikuperimit pas lëndimeve që kishin pësuar me skuadrat e tyre Lazio, respektivisht Genclerbirligi.
Ekipi kuqezi për dallim prej herëve të kaluara, kësaj radhe do të grumbullohet në Tbilisi, ku edhe do të zhvillohet ndeshja më 29 shkurt (E mërkurë) me fillim nga ora 15:00.
Të përzgjedhurit e De Biasit
Samir Ujkani, Orges Shehi, Tefik Osmani, Armend Dallku, Franc Veliu, Andi Lila, Kristi Vangjeli, Ervin Bulku, Gilman Lika, Odise Roshi, Emiljano Vila, Gjergj Muzaka, Ansi Agolli, Hair Zeqiri, Ahmed Januzi, Elis Bakaj, Armando Sadiku, Edgar Çani.