E Hënë, 2 Nëntor 2026

De Biazi: Do ta nxjerr Shqipërinë nga vendi i parafundit

TIRANE-Trajneri i ri i kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, ka shpalosur ditën e djeshme disa nga objektivat e tij në krye të kuqezinjve. Duke folur për Radion Crc të Napolit, ish-trajneri i Torinos, Udinezes dhe Levantes është shprehur se oferta e Shqipërisë ishte më seriozja dhe prandaj e pranoi atë.
"Ajo që unë dua të arrij është të përmirësoj çfarë ka bërë Shqipëria në edicionet e shkuara, - deklaroi tekniku italian. - Kombëtarja shqiptare është renditur përherë në vendin e parafundit dhe dua ta përmirësoj këtë statistikë", ka thënë ai. E ndërkohë, zgjedhja e Xhani De Biazit në krye të përfaqësueses shqiptare është komentuar gjatë në mediat italiane. Ato i kanë dhënë rëndësi faktit që shkolla e trajnerëve në Itali po eksporton një tjetër emër, pas Kapelos, Xakeronit apo Trapatonit, por Mançinit në Angli. "Pas Kapelos, profeti i futbollit anglez, Zakeronit, perandorit të ri të Japonisë dhe Trapatonit që po bën Irlandën të ëndërrojë, tani është radha e Xhani De Biazit që të tregojë se profesorët "Made In Italy", garantojnë besueshmëri dhe sidomos rezultate", komenton "Il Sole 24 ore".

"Kombëtarja shqiptare për momentin nuk mund të mbështetet te talente të mëdhenj, por De Biazi mund të mbështetet te sulmuesi i Çezenës, Bogdani, te mesfushori i Lacios Lorik Cana apo te talenti i ri i Këlnit, Odise Roshi", komenton prestigjiozja "La Repubblica".

(a.latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›