E Shtunë, 31 Tetor 2026

De Biazi :Fitore e madhe, skuadër në rritje

Trajneri i Kombëtares është shprehur i kënaqur nga paraqitja e skuadrës, duke vlerësuar tri pikët e marra kundër një kundërshtari të vështirë. Ai ka vlerësuar me nota pozitive edhe dy debutuesit Meha dhe Kukeli

 

Nga ANDI TANKU

 

Sfida kundër Qipros ditën e djeshme ishte e para zyrtare për trajnerin italian Xhani de Biazi. Fitorja 3-1 në stadiumin Qemal Stafa dhe nisja me tri pikë të këtyre Eleminatoreve të Botërorit natyrisht që e ka kënaqur edhe trajnerin e Kombëtares. Megjithatë në konferencën për shtyp pas ndeshjes ai është shprehur se nuk duhet të jemi euforik dhe tashmë skuadra duhet të përgatitet për takimin e radhës, atë kundër Zvicrës. Ai ka folur edhe për dy lojtarët, Meha dhe Kukeli, të cilët u thirrën për herë të parë në Përfaqësuese dhe debutuan si titullarë.

Çpërshtypje u la takimi kundër Qipros? A jeni të kënaqur nga ajo çka tregoi skuadra në fushë? 

Ajo që më gëzon janë tri pikët e mara kundër një kundërshtari që u përballë në këtë ndeshje ashtu siç e kisha parashikuar. E dija se do të ishte e vështirë të luanim kundër Qipros në këtë moment, pasi ata po kalojnë një periudhë të mirë dhe kanë kualitet të mjaftueshëm brenda grupit të tyre, që edhe siç e pamë na e vështirësuan shumë arritjen e fitores.

A jeni të kënaqur nga ajo çka tregoi skuadra në fushën e lojës?

Mund të them se e lojën e kemi kontrolluar në shumicën e minutave. Shënuam një gol atëherë kur na nevojitej, por ajo që më bezdisi ishte pësimi i golit pikërisht në fund të pjesë së parë. Megjithatë në pjesën e dytë hodhëm në fushën e lojës gjithë ofensivën e mundshme. Hyka i dha më tepër freski lojës dhe krosimet e tij ishin të rrezikshme, ku një prej tyre u shfrytëzua nga Çani duke shënuar golin e dytë. Shtatlartësia e sulmuesve që u futën në fushë gjatë fraksionit të dytë të takimit ishte pikërisht arma, e cila rezultoi pozitive, pasi si Bogdani ashtu edhe Çani fituan pothuajse të gjitha duelet ajrore. Sa për golin e tretë mund të them vetëm se ishte fantastik dhe na çliroi pa masë.

Gjatë 20 minutave të para të pjesës së dytë Shqipëria nuk pati shumë raste për shënim. Si e shpjegoni këtë fakt?

Ishte pikërisht kjo arsyeja pse hyri në fushë edhe Hyka, gjë të cilën e përmenda pak më lart. Është normale që të ndihet lodhja gjatë një takimi dhe kjo e vështirëson zhvillimin e lojës me pasime të sakta dhe rrezikshmëri konstante drejt portës kundërshtare. Jam i kënaqur edhe nga paraqitja e Hykës.

Alban Meha, debuton për Kombëtaren. Mund të themi se kemi gjetur një Skela të ri, po për Burim Kukeli çpërshtypje u la ai?

Unë nuk e di të kemi gjetur një Skela të ri me Mehën. Ai së bashku me Kukelin janë tashmë dy lojtarët e rinj të skuadrës dhe mendoj se kanë bërë një debutim të mirë. Mund të them se ata janë të rëndësishëm për ekipin, pasi nuk u mungon kualiteti. Janë dy lojtarë interesantë.

Si ju duket e ardhmja e kësaj skuadrës që ju drejtoni?

Kemi shumë lojtarë me të ardhme, të cilët mund të garantojnë paraqitje dinjitoze gjatë ndeshjeve që do të zhvillojmë. Kam besimin që skuadra do të rritet në vazhdimësi. Megjithatë ne do të vazhdojmë të punojmë dhe është koha ajo që do ta tregojë këtë gjë.

Në prag është Zvicra. Si e parashikoni këtë takim?

Dihet vështirësia e kësaj sfide. Zvicra ka një Kombëtare që ka elementë, të cilëve u dihet vlera dhe janë shumë të përgatitur. Këtë e treguan edhe në ndeshjen e sotme (djeshme) kundër Sllovenisë, nga e cila arritën të merrnin një fitore bindëse. Kundër tyre nuk duhet të bëjmë gabime dhe të tregohemi të vëmendshëm në të gjitha repartet. Shpresojmë të fitojmë, por kjo do të jetë shumë e vështirë. Si përfundim dua të them se këtë fitore ia dedikoj edhe vajzës sime, e cila sot (dje) ka ditëlindjen dhe në një farë mënyre i kam bërë një dhuratë, për të cilën jam i kënaqur. Por nga ana tjetër jemi të trishtuar për fatkeqësinë që i ka ndodhur Erjon Bogdanit, pasi gjyshja e tij është ndarë sot (dje) nga jeta. Jemi të gjithë me të në këto momente dhe ka mbështetjen tonë për të kaluar disi këtë dhimbje.

Nikos Nioplias: Kundër Shqipërisë nuk meritonim të humbnim

 

Trajneri i kombëtares së Qipros është parë i zhgënjyer gjatë konferencës për shtyp pas takimit me Shqipërinë. Si fillim ai ka uruar Përfaqësuesen tonë për fitoren e arritur edhe pse sipas tij skuadra që ai drejton nuk e meritonte të humbiste, për vetë mënyrën sesi rrodhën ngjarjet. Nuk e prisja këtë rezultat, kjo për faktin se zhvilluam një lojë që nuk korrespondon me rezultatin. Pësuam dy gola gjatë minutave të fundit të takimit, pikërisht në një moment që po luanim mirë, por ky është futbolli. Mendoj se ishte një lojë e luftuar fort nga të dyja ekipet. Zëvendësimet e bëra nga ana e trajnerit kundërshtar ishin çelësi i suksesit për skuadrën e Shqipërisë. Dy lojtarët e hedhur në fushën e lojës gjatë pjesës së dytë e ndryshuan totalisht mënyrën e lojës dhe ishin rezultativ. E dija se këto do të ishin edhe zëvendësimet që do të bënte trajneri kundërshtar, por nuk mund ti kundërpërgjigjesha, pasi kemi kryer një zëvendësim të detyruar, pasi portieri i parë pësoi një dëmtim gjatë pjesës së parë dhe nuk mund të vazhdonte më lojën. Tashmë do të fokusohemi te takimet e radhës, pasi grupi ku ne bëjmë pjesë ka shumë skuadra të forta dhe që kërkojnë përgatitje të larta fizike dhe taktike për ti përballuar,- përfundon trajneri i Qipros Nikos Nioplias

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›