Lorik Cana: Krenari për këtë skuadër. Flasin kuqezinjtë e tjerë
- Sot mbrojtja bëri pikërisht atë që kërkoi trajneri, nuk i la shumë hapësira kundërshtarit.
- Skuadra mbrohet e gjitha, jo vetëm me repartin e mbrojtjes. Ne e arritëm me meritë kryesimin, por pastaj pësuam një gol që duhej ta kishim evituar. Duhet të përpiqemi që të mos bëjmë më të tilla gabime, sidomos në minutën e fundit të pjesës së parë, por trajneri na tha një gjë shumë të saktë në pushim: Edhe pse e mbyllëm në barazim, meritonim të fitonim, por fituesi shihet pas 90 minutash. Fitorja jonë tregoi forcën e skuadrës. Dy lojtarët që hynë në fushë bënë diferencën dhe kjo është një gjë shumë e mirë. Erjoni pati edhe një fatkeqësi familjare, por kjo nuk e pengoi të bënte një supergol.
- Fitorja ka krijuar entuziazëm. Prisni të njëjtën atmosferë edhe në Zvicër?
- Jam shumë i sigurt që nuk do të na mungojë mbështetja e popullit tonë atje. Ndeshjen time të parë zyrtare me kombëtaren e kam zhvilluar pikërisht atje dhe ka qenë atmosferë fantastike. Tani dihet që, edhe pse ne kemi qenë të përqendruar vetëm te Qiproja, tifozët e kanë pritur me padurim ndeshjen me Zvicrën. Prandaj duam ti kënaqim e ti bëjmë krenarë. Nuk do të jetë e lehtë, sepse kanë lojtarë më cilësorë se ne, por ne do të shkojmë për ta luajtur ndeshjen nga minuta e parë deri në të fundit. Duam ti bëjmë tifozët krenarë, pavarësisht rezultatit, duke treguar se shkojmë atje me zemër. Barazimi do të ishte rezultat i kënaqshëm, duke parë edhe që Zvicra ka fituar sot (dje) në Slloveni. I njoh shumicën e lojtarëve, Behramin, Xhemajlin, Inler që luan me Napolin, Lihtshtajner me Juventusin e të tjerë, lojtarë që kanë nivel të lartë, megjithatë ne kemi luajtur denjësisht edhe me skuadra më të forta se Zvicra.
- Si u ndjetë me dyshen Bulku-Kukeli para jush?
- Nuk ishte e lehtë për ta, sepse ishte një ndeshje me presion mbi shpatulla dhe hera e parë që luanin bashkë. Por, treguan pjekuri. Ervini ka vite në kombëtare, ka cilësinë e tij dhe e dëshmon gjithmonë. Ai nuk është lojtari që ndërton ndeshjen, por është shumë i rëndësishëm për ne, sepse lufton dhe mbulon të gjitha zona. Edhe Burimi tregoi aftësi të mira dhe me kalimin e ndeshjeve do të rritet më tepër, duke fituar më tepër siguri për veten dhe lojtarët afër tij.
Armando Sadiku
Emocione të mëdha, tani dua një gol në Zvicër
- Së pari, mund të na sqaroni nëse ishte goli juaj apo autogol i mbrojtësit qipriot?
- Ishte gol i imi, sepse mbrojtësi e kapi para meje dhe më pas e preka unë. Ishte shumë rrëmujë dhe në fillim as unë nuk e kuptova mirë. Jam shumë i kënaqur që shënova golin e parë dhe zhbllokova rezultatin. Trajneri dhe e gjithë skuadra besuan tek unë, prandaj jam vërtet i lumtur që ndihmova ekipin për këtë fitore të rëndësishme për ne.
- Sinqerisht, u habitët që startuat titullar para Bogdanit dhe Çanit?
- E prita pak me emocione, por jam i kënaqur që e shfrytëzova mundësinë që mu dha. Ata janë sulmues shumë të mirë, megjithatë trajneri më zgjodhi mua dhe u mundova të jap 100 për qind.
- Tani luani në shtëpi, në Zvicër.
Sigurisht, nëse më jepet edhe atje mundësia do të përpiqem të shënoj.
Ervin Bulku
Bashkëpunim perfekt me Kukelin
- Një tjetër ndeshje e shkëlqyer e juaja. Si u ndjetë në dyshen me Kukelin?
- Unë jam ndjerë gjithmonë mirë në fushë dhe nuk ka rëndësi se cilët emra janë atje. Të gjithë jemi njësoj, luajmë për uniformën kuqezi dhe për kombin tonë, ndaj nuk ka rëndësi se kush del në fushë. Përpiqemi të arrijmë fitore e të gëzojmë të gjithë njerëzit.
- Mbrojtja u duk mjaft e sigurt me ju përpara.
- Nga minuta e 60-të, trajneri ndryshoi vendosjen taktike. Unë kalova para mbrojtjes, me Vilën e Kukelin pak më përpara. U mundova të zbatoj detyrat që më ngarkoi trajneri, pastaj vlerësimin për lojën time mendoj se e bëjnë më mirë të tjerët dhe jo unë.
- Ndiheni më mirë para mbrojtjes se sa më tepër i avancuar në qendër?
- Nuk ka shumë rëndësi, jap gjithmonë maksimumin për skuadrën.
- Si e prisni tani Zvicrën?
- Çdo ndeshje është shumë e vështirë. Kështu ishte edhe kjo e sotmja, mos të nisemi nga shifrat dhe nga emri që ka Qiproja. Morëm tri pikët dhe e rëndësishme është që e nisëm mbarë.
Andi Lila
Për kombëtaren, shpirt sakrifice
- Tri pikë të marra vetëm në fund…
- Ishte një ndeshje shumë, shumë e vështirë, sepse Shqipëria e Qipro janë kundërshtarë direkt. Fituam, duke gëzuar të gjithë shqiptarët dhe shpresojmë që të bëjmë ndeshje si kjo edhe në vazhdim.
- Si do ta vlerësonit repartin tuaj?
- Do të thosha që ishte lojë e mirë, por jo vetëm e repartit tonë.
- Ju nuk ishit në pozicionin natyral…
- Unë mundohem të ndihmoj skuadrën në çdo pozicion. Mbrojtës i majtë nuk është roli im natyral, por bëj gjithmonë më të mirën.
- Tani shkoni në Zvicër…
- Nuk e kemi studiuar ende, sepse jemi marrë me Qipron. Tani do të fillojë puna për të dhe do të përpiqemi të bëjmë një tjetër paraqitje të mirë.
Armend Dallku
Në fushë nuk njohim patritotë
- Shqipëria e nis përsëri me rezultat pozitiv grupin, ndonëse me mjaft vështirësi.
- E patëm të vështirë të gjenim golin, sepse kundërshtari vendosej mirë në mbrojtje. E rritëm presionin dhe kaluam në epërsi, por pësuam një gol shumë naiv. Ishte goditje e rëndë, por treguam karakter, dhamë maksimumin dhe ndërrimet e bëra ishin me vend, duke na dhënë fitoren. Jemi shumë të gëzuar që përsëri i nisim eliminatoret me rezultat pozitiv dhe shpresoj të vazhdojmë kështu sa më gjatë.
- U duk sikur do të zëvendësoheshit në fundin e pjesës së parë.
- Pata një kontraktim, por mjekët më thanë se nuk ishte me rrezik dhe mund të vazhdoja të luaja.
- Sa garanci jep mbrojtja jonë për ndeshjet në vazhdim?
- Do të mundohemi të japim garanci të plota. Kemi punuar shumë me trajnerin, i cili, si të gjithë italianët, është shumë i dhënë pas mbrojtjes dhe taktikës. U pa edhe në fushë që nuk patëm shumë probleme në këtë aspekt. Sigurisht që Zvicra është kundërshtar shumë më i fortë, por do të përpiqemi të bëjmë edhe atje të njëjtën lojë.
- Përballë tani do të keni patriotët tuaj?
- Në fushë nuk ka patriotë. Do të takohemi me ta para dhe pas ndeshjes, por në fushë do të kërkojmë të bëjmë më të mirën për skuadrat tona. Zvicra luan futboll kolektiv dhe të njëjtën gjë do të bëjmë edhe ne.
Mërgim Mavraj
Mbrojtje solida, arritje e madhe
- Zakonisht Shqipëria gabon shumë në mbrojtje, çfarë ndryshoi këtë herë?
- Mendoj se i gjithë ekipi ishte i përqendruar për të mbrojtur, që nga sulmuesit. Në radhë të parë duhet të mendojmë që të mbrojmë portën tonë, e pastaj të krijojmë raste. Ishte një arritje e madhe.
- Tani ndeshja e shumëpritur, me Zvicrën e shqiptarëve…
- Kundërshtari është kundërshtar, pavarësisht se kush luan. Nuk na interesojnë emrat e tyre, interesohemi vetëm që të bëjmë një paraqitje shumë të mirë.
