Hithi: Partizani, fitore për tifozët e zjarrtë
Sipas mbrojtësit, skuadra e kuqe ka si alternativë të vetme triumfin ndaj skuadrës së Butrintit
Skuadra e Partizanit do të presë në fushën e saj skuadrën e Butrintit, e vlefshme për javën e dytë të Kategorisë së Parë. Skuadra e kuqe do të kërkojë me ngulm fitoren në këtë sfidë, pasi vetëm fitimi i tri pikëve kënaq skuadrën legjendare të futbollit shqiptar, i cili ka si objektiv kryesoj rikthimin mes skuadrave më të mira të Superligës.
Pas fitores së ndeshjes së parë në fushën e Adës, në ambientin e skuadrës mbizotëron një klimë entuziaste dhe tepër pozitive. Skuadra kërkon të fitojë ndaj Butrintit për të ruajtur vijimësinë e rezultateve pozitive. Fitorja në ndeshjen e parë ishte tepër e rëndësishme jo vetëm për sigurimin e tri pikëve, por edhe për moralin e skuadrës, e cila vinte fill pas zgjidhjeve të çështjeve juridike.
Po në rast dështimi përballë kundërshtarit të radhës, fitorja e një jave më parë nuk do të kishte vlerë. Për këtë arsye, skuadra është e përqendruar totalisht për fitimin e kësaj ndeshje edhe për faktin se sot ajo do të luajë përballë tifozëve të saj të zjarrtë. Skuadra e Butrintit nga ana tjetër vjen pas barazimit pa gola ndaj skuadrës tjetër pretendente për Superligën, Kamzës, e cila luajti për 88 minuta me 10 lojtarë.
Nuk përjashtohet dhe një surprizë e mundshme në këtë ndeshje, pasi një fenomen i tillë ndodhi me skuadrën e Dinamos javën e kaluar, e cila u mund nga Mamurrasi në shtëpi. Lojtari i Partizanit, Indrit Hithi thotë se Partizani do të kërkojë fitoren dhe vetëm fitoren në ndeshjen ndaj Butrintit, si të vetmen alternativë për të përshëndetur tifozët tonë të zjarrtë. Mbrojtësi 22-vjeçar, i cili është kthyer këtë sezon për të mbrojtur ngjyrat e skuadrës së kuqe, konsiderohet si një nga talentet e futbollit tonë.
