Zhupa kërkon kthesën: Në Gramsh vetëm për tri pikët
Dinamo do të udhëtojë sot drejt qytetit të Gramshit, një transfertë kjo e cila është vlerësuar maksimalisht nga trajneri Zhupa, i cili shprehet se objektivi i skuadrës është vetëm fitorja
Blutë e kryeqytetit do të luajnë sot kundër Gramshit, takim i vlefshëm për javën e dytë të Kategorisë së Parë. Gjatë seancës së djeshme stërvitore i është dhënë edhe dora e fundit përgatitjeve, ku futbollistët nën drejtimin e trajnerit Zhupa kanë qenë të karrikuar në maksimum. Transferta e parë e Dinamos do të jetë në Gramsh, ku pas humbjes në javën e parë të kampionatit, në këtë takim do të kërkohet me patjetër kthesa dhe marrja e rezultatit pozitiv.
Vetë numri 1 i stolit të bluve shprehet optimist në prag të sfidës kundër gramshiotëve, por kërkon kujdes maksimal, pasi këtë herë nuk ka vend për një hap tjetër fals. E kemi vlerësuar në maksimum këtë ndeshje, pasi nuk duhet të përsërisim të njëjtat gabime që bëmë gjatë ndeshjes së parë të kampionatit. Nëse ndodh e kundërta do të na e vështirësonte edhe më shumë objektivin tonë, atë të arritjes së Superligës.
Të gjithë futbollistët janë stërvitur me seriozitet dhe jam i bindur se puna e zhvilluar gjatë kësaj jave do të japë frytet e veta, mjafton të jemi të vëmendshëm dhe të tregohemi efikas duke shënuar në rastin e parë që do të na jepet. Kjo do të na e lehtësonte edhe objektivin e kësaj ndeshjeje, pasi kërkojmë vetëm fitoren. E dimë se nuk do të jetë e lehtë, por unë kam besim te forca e grupit dhe jam i bindur se ata do të zbatojnë me përpikmëri të gjitha këshillat, që ne si staf teknik i kemi dhënë lojtarëve gjatë kësaj jave.
Gramshi vjen pas një fitore dhe janë me moral të lartë, por ne edhe pse vijmë pas një humbjeje, mendoj se ajo është lënë pas dhe tashmë do të kërkojmë të bëjmë kthesën dhe të arrijmë rezultate pozitive. Për sa i përket formacionit që do të hedh në fushën e lojës, atë nuk mund ta bëj zyrtar për arsye teknike, por mund të them se do të ketë disa ndryshime, kjo për arsye të dëmtimeve që kanë pësuar disa prej titullarëve të sfidës së parë të kampionatit,-përfundon trajneri i Dinamos, Eduard Zhupa.
