E Diel, 1 Nëntor 2026

De Biazi: Lala, dyert të hapura në kombëtare

TIRANE- Trajneri i kombëtares shqiptare Xhani De Biazi ka mbetur i mahnitur nga mesfushori Altin Lala, pasi ka parë DVD-të e ndeshjeve të Shqipërisë. Italiani, në një bisedë të zhvilluar me njerëzit e stafit të tij, ka kërkuar që mesfushori i Hanoverit të jetë sërish në ekipin kombëtar, duke parë cilësitë e tij.

Veç DVDve, De Biazi e ka parë lojtarin 36 vjeçar edhe në disa minuta të tij me Hanoverin dhe ka mbetur i impresionuar. Më pas, ai është njoftuar se Lala e ka lënë tashmë kombëtaren, duke qenë se në fund të këtij sezoni i thotë “stop” futbollit. Por, edhe pas kësaj, De Biazi ka thënë se “ai mund të vijë kur të dojë në përfaqësuese”, ç’ka nënkupton se tekniku kuqezi nuk sheh alternativë më të mirë se Lala në repartin difensiv.

Megjithatë, aventura e Lalës në ekipin përfaqësues tashmë ka përfunduar dhe mesfushori kuqezi e ka bërë publike tashmë këtë vendim. Në fund të sezonit, ai do të varë këpucët në gozhdë, pas një karriere vërtet brilante.
(ma.ar/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›