E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama tiranasve: Jepjani pronat Lindës t’i zhvillojë

14-06-2013 / Gazeta 55

Perspektiva e vetme që u ka ofruar dje Edi Rama banorëve autoktonë të kryeqytetit është bllokimi i zhvillimit të pronave të tyre, derisa ata të kthehen në klientë të oborrit të tij dhe të nisin ndërtimet sipas parimit që ka ndjekur Linda Rama me pallatin e saj të paligjshëm

“Tironsit për Rilindje” ishte një aktivitet i Partisë Socialiste gjatë të cilit Edi Rama dhe gruaja e tij, Linda Rama, kërkuan nga kryeqytetasit të bëjnë zgjedhjen e duhur më 23 qershor. Sipas tij, më 23 qershor nuk do zgjidhet mes dy palëve, por mes dy alternativave. Refreni i Edi Ramës është i njohur nuk bëj mrekullira, por do ju qaj hallin. Më interesant ishte fjalimi i bashkëshortes jo kandidate të PS, Linda Rama, që u deklaroi fisit dhe komshijve të saj se gjyshërit e tyre nuk do ua falnin kurrë se si është katandisur situata në kryeqytet. “gjyshërit e mi me mënyrën e vjetër tiranase na mësuan të kuptosh ç’do të thotë të jesh njeri dhe qytetar. Ata na mësonin se para se të blesh shtëpi blej komshiun”, deklaroi ajo. Në fakt, Linda Rama (Basha) përpara se familja e saj të ndërtonte pallatin 5 katësh me firmën e paligjshme të Edi Ramës nuk e bleu komshiun. Komshiu i familjes së Linda Bashës (Rama) është Edison Tefik Cela, të cilit i është bërë një padrejtësi me dashje nga Edi Rama, ish-kryebashkiak i Tiranës. Ish-kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama ka përdorur nenin 62 të Ligjit 8405, “Për Urbanistikën”, për t’i anuluar lejen e  ndërtimit një qytetari të quajtur Edision Tefik Cela, në rrugën Qamil Guranjaku, që pronën e kishte vetëm 20 metra më tej familjes së Linda Bashës, dhe po në kundërshtim me këtë nen ka dhënë leje për ndërtimin e ndërtesës pesëkatëshe. Në këtë lulishte publike te rruga “Qamil Guranjaku” jo të gjithë mundën të ndërtojnë ndërtesa shumëkatëshe. Ish-kryebashkiaku Edi Rama është përkujdesur të ndërtonin veç njerëzit kishin një partneritet me të dhe jo pronarë të tjerë të ligjshëm. Ish-kryebashkiaku Rama ka përdorur dy standarde të ndryshme për një shesh publik, ku nga njëra anë lejon familjen e bashkëshortes Linda Basha të ndërtojë dhe në sajë të pushtetit të tij, nga ana tjetër të anulojë lejen për komshiun. Padyshim prova të reja kanë dalë në dritë nga hetimi i prokurorisë së Tiranës, e cila së shpejt do të vërtetojë me shumë mundësi një praktikë jo fort ligjore të Edi Ramës me lejet e ndërtimit në Tiranë. Dhe prova më e re është dopio-standardi i përdorur nga ish-kryebashkiaku Edi Rama për dhënien e lejeve të ndërtimit në Tiranë. Kjo është një provë themelore që vërteton përkuljen e ligjit sipas moralin imponues korruptiv. Si arkitekt i filozofisë “edhe punojmë edhe vjedhim” në administratën publike, ish-kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama u ka bërë bisht ballafaqimit me hetimin e abuzimeve dhe shpërdorimit të detyrës në Bashkinë Tiranë. Pretedenti për kryeministër Edi Rama është akuzuar publikisht nga një ish-ministre socialiste e MTKRS për abuzime korruptive me lyerjen e fasadave të pallateve në Tiranë. Kjo dosje nuk është hapur kurrë. Ashtu siç kanë pasur fatin shumë dosje të tjera për ish-kryebashkiakun Edi Rama që firmoste leje ndërtimi për pallate në hapësirat publike dhe prishte “avllitë e tironsve” pa teklif me një arrogancë të pamatë.  Së fundmi, Edi Rama ka shkeluar me dy këmbë ligjin duke na thënë se  ligji si duket nuk është i barabartë për të gjithë. Edhe pse brenda datës 30 prill, çdo qytetar që realizon të ardhura bruto të paktën 2 milionë lekë në vit, duhet të plotësojë dhe dorëzojë në organet tatimore deklaratën vjetore të të ardhurave personale; Edi Rama, nuk e ka dorëzuar deklaratën në organet tatimore.
Sido që të jetë, vendalijve të Tiranës Edi Rama nuk ka ç’u thotë. Qytetarët e njohin mirë kush është Edi Rama dhe sesi e përdor pushtetin për të bërë para në kurriz të pronave dhe bizneseve të tyre. Edi Rama mund t’ju premtojë veç një gjë “tironsve” që pronat e tyre ti zhvillojë bashkëshortja e tij, Linda Rama, ashtu siç bëri me pallatin e familjes së saj, që edhe pse i kishte babain pensionist dhe vëllai emigrant arriti në pak kohë të  zotëronin një pallat pesëkatësh me firmën e Edi Ramës. 
Tabaku: Tironsit lindën duke refuzuar modelin e Ramës,  E vetmja pronë e zhvilluar, ajo e Lindës/Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës Jorida Tabaku, reagoi të enjten përmes një deklarate për shtyp lidhur me aktivitetin e organizuar nga Partia Socialiste “Rilindja e Tironsve”. Tabaku i drejtoi kryesocialistit disa pyetje, duke evidentuar bllokimin që ai u ka bërë zhvillimit të pronave të tiranasve. “Pse për 11 vjet z. Rama ia bllokoi këtyre njerëzve këtu, zhvillimin e pronës dhe Linda heshti?! Pse e vetmja pronë tironsish që u zhvillua në gjithë qytetin e Tiranës, edhe pse në kundërshtim me ligjin ishte prona e znj. Rama?! Pse nuk u dha sot asnjë sqarim për tironsit, për kërcënimin që ish-kryetari i Bashkisë bëri se në qoftë se vjen në pushtet, ai sërish do u mohojë zhvillimin e  pronës këtyre njerëzve?!”, tha nënkryetarja e bashkisë. Gjithashtu Jorida Tabaku duke iu drejtuar kryesocialistit Rama, shtoi se “Tironsit, z. Rama rilindën më 8 maj të vitit 2011 dhe rilindën duke refuzuar me votë modelin tënd. Sot, koha jote ka mbaruar!”, tha ajo.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›