De Biazi shigjeton Balotelin

Edhe Xhani De Biazi merr pjesë në mënyrën e tij në Kampionati Europian. Trajneri i Shqipërisë mbetet një prej opinionistëve më të kërkuar në Itali dhe së fundmi atij i është kërkuar një mendim për paraqitjen e “axurrëve” të Çezare Prandelit në Euro 2012.
Duke folur për Radio “Toskana”, drejtuesi i stolit shqiptar ka folur për ndeshjen e barazuar nga Italia me Spanjën, ndërsa është përqendruar kryesisht te sulmuesi Mario Baloteli, i cili mbetet në qendër të diskutimeve me sjelljen e tij.
“Kundër Spanjës, Italia zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer në aspektin taktik. Pas zhgënjimit në miqësoren me Rusinë, Prandeli diti sit a transformonte përfaqësuesen ‘axurre’. Në Euro 2012 Baloteli ka shfaqur disa cilësi të mira, megjithatë i duhet një personalitet tjetër”, deklaroi De Biazi.
Më tej, tekniku kuqeziu shtoi: “Baloteli duhet të hyjë në fushë me një mentalitet ndryshe: I mungon ekuilibri mendor që të ketë vazhdimësi në paraqitjet e tij. E kam ndjekur edhe te Mançester Siti, ku ndërthyrte momente gjenaliteti në lojë me sjellje jo të denja si gjatë ndeshjeve ashtu edhe jashtë fushës”.
Në fund, De Biazi vlerësoi sulmuesin Antonio Di Natale, që vetëm pak minuta pas aktivizimit nga stoli, shënoi përballë Spanjës. “Kisha parashikuar që Di Natale do të realizonte dy gola, megjithatë iu afrova. Ai është një futbollist që e ka golin në gjak”, përfundoi analizën e tij trajneri i Shqipërisë.