De Biazi vendos formacionin anti-Armeni, por ka ende dilema
Në mbrojtje mungon Mërgim Mavraj, që vetëm dje është bërë pjesë e kuqezinjve, pas fitores së Greiten Furtit, 2-1 ndaj Kaizerslauternit, kurse Lenjani do ta nisë nga stoli, ndërsa Shkëlzen Gashi, edhe si prurje e re e italianit të pankinës kuqezi, do të jetë titullar
Me dy seanca stërvitore dhe kombëtarja e Shqipërisë është e gatshme për ndeshjen miqësore ndaj Armenisë, sonte në ora 20:45, në stadiumin kombëtar Qemal Stafa. Në përgjithësi, në këtë muaj gusht, në kulmin e verës, kuqezinjtë në më të shumtën e rasteve i kanë luajtur miqësoret e tyre në shtëpi. Kanë fituar, por dhe kanë barazuar.
Por kur miqësorja me armenët është konsideruar jo fort e rëndësishme për katër ndeshjet kualifikuese të mbetura për Botërorin Brazil 2014, atëherë duket se do të jetë një formacion eksperimental.
Edhe sepse italiani i pankinës kuqezi, teksa ende nuk e ka firmosur kontratën e re me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, kërkon që të gjejë sa më shumë të rinj për ta vazhduar projektin e tij për një Shqipëri të kualifikuar në finalet e Kampionatit Evropian 2016 e mandej dhe në botërorin rus më 2018.
Dhe në stërvitjen e fundit të gjitha seancat janë zhvilluar në Qemal Stafa De Biazi ka provuar dhe formacionin e tij. Në portë nuk ka ndryshuar asgjë, duke i besuar sërish Berishës, kurse në pjesën e dytë, në mungesë të Ujkanit që është i dëmtuar, duket se do të ketë vend dhe për Shehin e Skënderbeut.
Në mbrojtje në të djathtë Dallku, sepse përkrah Canës do të jetë lojtari i Karabagut Admir Teli, ashtu sikurse në të majtë dhe Agolli. Ajo që bie në sy është mungesa e Mërgim Mavrajt, që vetëm dje është bërë pjesë e kuqezinjve, sepse të hënën në mbrëmje ka qenë për 90 minuta pjesë e formacionit titullar të Greiten Furtit, që në Bundesligën 2 ka fituar 2-1 me Kaizerslauternin e tashmë e kryeson kampionatin me 9 pikë të plota.
E Mavraj do të jetë në stol, ndoshta për tu aktivizuar në pjesën e dytë. Në mbrojtje Lila në të djathtë, kurse përkrahë Bashës ende Meha është i dëmtuar do të jetë Abrashi, e më të majtë Gjasula, E në sulm një dyshe jo fort e praktikuar nga De Biazi do të jetë Shkëlzen Gashi me Kapllanin, sepse në fakt nuk është thirrur as Bogdani, as Salihi, as Çani.
Kështu që De Biazi ka gjetur mënyrën për të provuar dy lojtarë, të cilët, nëse do ti rezultojnë pozitiv, atëherë do të jenë pjesë e kuqezinjve në katër kualifikueset e mbetura. Aq më shumë që Kapllani është i rikthyer në kombëtare, teksa në 36 ndeshje të luajtura ka shënuar gjashtë gola.
Më konkretisht, ka shënuar ndaj Luksemburgut në fitoren 1-0 më 2 qershor 2007, sërish ndaj Luksemburgut në fitoren 3-0 më 6 qershor 2007 (dopietë). Shënon në humbjen 2-4 ndaj Bjellorusisë në Qemal Stafa më 17 nëntor 2007, ashtu sikurse dhe në humbjen 1-6 ndaj Rumanisë në Bukuresht, më 21 nëntor 2007.
Dhe goli i tij i fundit është më 20 gusht 2008 ndaj Lihtenshtejnit, në fitoren e kuqezinjve 2-0. Të gjitha gola të shënuar kur skuadra ishte në dorën e Oto Bariçit.
Kështu që kjo miqësore e Kapllanit do të vlejë jo vetëm për të për tu kthyer me gol në kombëtaren shqiptare, por dhe për ta bindur De Biazin se ka gabuar kur nuk e ka thirrur atë për një kohë të gjatë, edhe pse ishte titullar te FSV Frankfurt e shënonte rregullisht.
