E Shtunë, 31 Tetor 2026

De Gea tek Junajtid

Tashmë ai do ta veshë atë bluzë të cilën e dëshironte. David De Gea nuk është më portier i Atletikos së Madridit, tashmë ai ka kaluar tek Mançester Junajtid dhe është krenar për aventurën e tij të re, një rritje në karrierë.

“Mançester Junajtid është një nga klubet më të mëdhenj në botë dhe unë mendoj se ky është një hap i madh përpara në karrierën time. Unë shpresoj që të bëj më të mirën time dhe të arrij sukses. Atletiko luftoi shumë për mua dhe unë gjithnjë e kam ndjerë dashurinë e ish-klubit tim. Mendoj se arsyeja kryesore që unë jam këtu është se dua të eci përpara në karrierë. Është shumë e rëndësishme për një futbollist që të ecë përpara”, thotë De Gea.

Pas blerjes edhe të De Geas, shpenzimet e Mançester Junajtid kanë arritur në mbi 50 milionë stërlina. Sër Aleks Ferguson është i lumtur sepse besohet që arriti të shmangë krizën e portës që ndodhi pasi Peter Shmajkel u largua nga “djajtë e kuq” më 1999, ndërsa portieri spanjoll ndihet gati.

“Unë jam gati. Kam luajtur shumë ndeshje në karrierë. Unë kam kohë që luaj në kategorinë e parë spanjolle dhe mendoj se cilësitë e mia janë të përshtatshme për këtë ligë, ndonëse është një futboll i ndryshëm. Shpresoj vetëm që të përshtatem shpejt dhe që gjithçka të shkojë mirë”., ka deklaruar De Gea.

Kështu, skuadra e madhe angleze mori një portier 20-vjeçar, një njeri që garanton portën për shumë e shumë vjet.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›