E Shtunë, 31 Tetor 2026

De Kermabon: “Për planin gjashtëpikësh përgjegjës është UNMIK-u”



Shefi i EULEX-it, Iv De Kermabon, ka deklaruar se misioni i Bashkimit Europian është teknik dhe nuk është përzier në çështjet që kanë të bëjnë me statusin e Kosovës pasi kjo u takon vendeve anëtare të BE-së. Ai po ashtu tha se për planin gjashtëpikësh përgjegjës është UNMIK-u. “Baza ligjore e Misionit është aksioni i përbashkët, dokument që e kanë miratuar 27 vendet anëtare të BE-së, përfshirë këtu dhe shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, - ka thënë de Kermabon. Sipas tij, EULEX-i nuk u vendos në Kosovë për të sjellë ligje, por për të ndihmuar në zbatimin e sundimit të ligjit në të mirë të të gjithë qytetarëve. De Kermabon shpjegoi se EULEX-i ka zinxhir unik komandues, që do të thotë se shefi i këtij misioni u raporton 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian për punën e misionit nëpërmjet përfaqësuesit të lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Havier Solana. Ndërkaq, përfaqësuesi i lartë, sipas tij, do t’i ofrojë raporte sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, për funksionimin e Misionit.
Ai shtoi se për gjashtë pikat, rreth të cilave janë marrë vesh OKB-ja dhe Beogradi, përgjegjës është UNMIK-u.

SHBA
Nis hetimi për shkarkimin e Blagojeviçit
Ligjvënësit e Illinoisit kanë ndërmarrë hapa për shkarkimin e guvernatorit me origjinë serbe, Rod Blagojeviç. Ai u arrestua javën e kaluar për dyshime lidhur me akuzën se u përpoq të shiste vendin e Barak Obamës në Senatin e Shteteve të Bashkuara. Ligjvënësit unanimisht filluan hetimin për shkarkim ndërsa Barack Obama ka thënë se as ai e as ndonjëri prej anëtarëve të stafit të tij nuk kanë pasur asnjë diskutim me zyrën e guvernatorit Blagojeviç.

FRANCË
Policia zbulon pesë blloqe dinamiti në Paris
Pesë blloqe dinamiti janë zbuluar nga policia franceze në një dyqan të madh, në pjesën qendrore të Parisit. Menjëherë policia evakuoi zonën pas lajmërimit nga grupi i quajtur “Fronti revolucionar afgan”, i cili kishte vënë lëndët shpërthyese. Detaje më të hollësishme nuk janë dhënë ende. Grupi kërkoi nga Franca të largojë trupat nga Afganistani, - kanë thënë zyrtarë me kusht anonimiteti, pasi nuk ishin të autorizuar për të dhënë informacione të tjera.

ITALI
Arrestohen 100 pjesëtarë të mafias
Në një operacion të gjerë kundër klaneve të mafias, policia italiane arrestoi rreth 100 persona. Agjencia italiane ANSA raportoi se 1200 policë, të ndihmuar nga helikopterët, arrestuan krerët dhe pjesëtarët e klaneve të mafias në Siçili dhe Tuskani të rajonit Palermo. Policia u shpreh se ata kishin dyshime për ripërtëritjen e grupit “Kosa Nostra”, që është organizata kryesore e mafias së Sicilisë. Ky grup u shkatërrua në vitin 2006, pas arrestimit të kreut të saj Bernardo Provenzano.

17 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›