Rrënohet plotësisht banesa 3-shekullore e Koloit
Banesa karakteristike gjirokastrite e Koloit, që ndodhej në zonën e ndërmjetme mes lagjeve “Varosh” dhe “Palorto”, është shembur përfundimisht për arsye se gjendja e saj e mjerueshme gati në rrënim rrezikonte kalimtarët dhe banorët përreth. Për mëse 300 vjet, kjo shtëpi diti si t’i rezistonte kohës, njerëzve, incidenteve e deri dhe luftërave, por zjarri i rënë kohët e fundit, mungesa e vëmendjes së Institutit të Monumenteve të Kulturës, Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Bashkisë së Gjirokastrës, bëri që ajo të shkatërrohet e të shembet përfundimisht brenda pak kohësh. Sipas burimeve tona, në gjendje rreziku janë edhe disa shtëpi të tjera, të cilat urojmë që të mos pësojnë të njëjtin fat si banesa e Koloit, e cila ishte dhe monument kulture i kategorisë së dytë. Në aksionin e ditës së martë për shembjen përfundimtare të banesës 3-shekullore kanë qenë protagonistë policia e Bashkisë së Gjirokastrës dhe specialistë të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare. Muri i shtëpisë u rrëzua me një mjet të rëndë duke krijuar mbeturina inerte, të cilat bënë që rruga e Qafës së Pazarit në Gjirokastër të bllokohej deri në përfundimin e zhvendosjes së tyre.
17 Dhjetor 2008