E Diel, 1 Nëntor 2026

Debat në Kuvend, PS: Kartat, premtim i pambajtur i Berishës

 

BLEDAR HOTI

Kartat e identitetit ishin i vetmi argument që maxhoranca dhe opozita debatuan ndërmjet tyre. Partia Socialiste ka dhënë alarmin se procesi i shpërndarjes së kartave është në rrezik dhe si pasojë edhe arritjet e standardeve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Sot, vetëm më pak se 160 ditë nga dita e zgjedhjeve, shqiptarët janë të qartë se procesi i pajisjes të të gjithë shqiptarëve me karta identiteti deri ditën e zgjedhjeve është dhe do të jetë një premtim i pambajtur i Sali Berishës”, deklaroi Klosi. Ai theksoi se “ne duhet t’u shpjegojmë qytetarëve se dhe në skenarët më optimistë të zyrtarëve në këto 160 ditë të ngelura, nuk mund të kryhen as teorikisht më shumë se 800 mijë aplikime nga rreth 3-3.2 milionë zgjedhës që ka sot regjistri kombëtar”. Socialistët kërkojnë që komisioni parlamentar për monitorimin e këtij procesi, si dhe qeveria të kontaktojë një kompani konsulence jashtë qeveritare. Alarmi për PS-në përbën edhe faktin se ka shumë dublime në regjistrin kombëtar të shtetasve. Sipas Klosit, “qeveria pranoi se ende ka dublime në Regjistrin Kombëtar elektronik të shtetasve, në rendin e 100.000 rekordeve”. Shifra të tilla janë hedhur poshtë nga ana e zv.kryeministrit Genc Pollo, duke i cilësuar pretendimet e opozitës si të pavërteta. “Sot dublikatat nuk janë 100.000 apo 200.000 sa tha deputeti parafolës, por janë 50.000. Ku 45.000 prej tyre janë midis njësive të ndryshme (bashki apo komunë) 5.000 janë brenda të njëjtës komunë apo bashki. Brenda 10 ditëve, Ministria e Brendshme do të njoftojë për eliminimin e  dublikatave dhe mbi këtë bazë do të dalin lista zgjedhore të sakta”, deklaroi Pollo. Zv.kryeministri ftoi opozitën që ta ndjekë nga afër procesin e pajisjes me kartat e identitetit dhe mos ta bllokojë atë. “Unë do të këshilloja, ndoshta nuk është detyra ime ta bëj, por do guxoja ta bëja këtë, që vetë Edi Rama, në mënyrë publike, të ftojë kamerat që i ka përzemër ta bëjë këtë proces aplikimi, duke i dhënë mesazhin dhe votuesve të PS-së, por dhe publikut, se ky është një proces që duhet kryer. Në qoftë se ai nuk e bën për arsyet e veta, le të delegojë dikë, a Taulantin apo një deputet tjetër”, deklaroi Pollo. Më pas socialisti Kastriot Islami ka kontestuar qëndrimin e zv.krye-ministrit, duke deklaruar se opozita është për realizimin e procesit të pajisjes së shtetasve shqiptarë me karta identiteti. Islami hodhi poshtë tezën e kryeministrit, se ata që s’kanë karta do të votojnë me pasaporta në zgjedhje. “Këtë e ka Kodi, por në nen theksohet se e para është karta dhe më pas pasaporta. Pra, duhet të mbarojë sa më shpejt procesi”, deklaroi Islami. Ndërsa Pollo reagoi duke u shprehur se, “ftoj që PS-ja të rishikonte propozimin e vet, që të bllokonte furnizimin me letërnjoftim të gjithë popullsisë, për të furnizuar vetëm këtë kategori prej 730 mijë shtetasish, sepse do të ishte e padrejtë që shqiptarët që e kanë pritur me vite letërnjoftimin dhe pas letërnjoftimit duan të marrin pasaportën biometrike”.

Votohen me konsensus tre paktet me klerin
Tre marrëveshjet me komunitetet fetare në vend votohen me konsensusin e plotë në Kuvendin e Shqipërisë. Deputeti i PD-së, Bujar Leskaj, ka qenë i vetmi që ka abstenuar vetëm në votimin për marrëveshjen mes qeverisë shqiptare dhe Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Ndërsa për dy marrëveshjet e tjera me Komunitetin Mysliman dhe Bektashinj nuk pati kontestime dhe u votua me 92 vota pro. Deputeti i PD-së, Leskaj deklaroi se, “marrëveshjet e para me komunitetit fetare janë realizuar në kohën e mbretërisë së Mbretit Zog. Më vjen keq se për këto marrëveshje të rëndësishme nuk ka asnjë diskutim nga ana e deputetëve tanë pas afro 80 vitesh ridiskutimi”. “Kam kontestime për nenin 14 të marrëveshjes me Kishën Ortodokse dhe për këtë do ta abstenoj në votën time”, deklaroi Leskaj, i cili nuk dha arsyet konkrete për një qëndrim të tillë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›