Obama përsërit betimin, harroi fjalën “besnikëri”
Pas dy herë betimesh, Barak Obama quhet me plot gojën president i Shteteve të Bashkuara, duke mos i lënë hapësirë asnjë diskutimi mbi këtë. Presidentit të ri iu desh të betohej për herë të dytë, pas një gabimi të bërë të martën në artikulimin e betimit prej 35 fjalësh, i cili është traditë e presidencës amerikane, por edhe një detyrim kushtetues. Ditën e martë gjatë betimit të tij të parë, presidenti historik afrikano-amerikan bëri një pauzë, pasi kur po lexonte tekstin përpara zotit Obama, kryetari i Gjykatës së Lartë amerikane, Xhon Roberts ngatërroi vendin e fjalës "me besnikëri". Me sa duket ngatërrimi i rendit të fjalëve të 'himnit presidencial' ishte i mjaftueshëm që ekspertët të kërkonin ribetimin e Obamës për të respektuar Kushtetutën, pasi sipas tyre, një betim i ngatërruar ishte i pavlefshëm dhe kjo rrezikonte t'i hapte probleme kushtetuese presidentit 'të ndryshimit'. Kështu Obama e përsëriti tekstin solemn të betimit në Shtëpinë e Bardhë. Ndërsa betimi i parë u ndoq nga rreth 2 milion njerëz, pa përfshirë miliona që e panë në televizion, në betimin e dytë ishin të pranishëm vetëm 9 persona, 4 ndihmës të presidentit, katër gazetarë dhe një fotograf i Shtëpisë së Bardhë. Sipas gazetarëve të pranishëm, kësaj here Obama nuk e përdori Biblën. Betimi për të marrë postin më të fuqishëm në botë i ka vetëm 35 fjalë. Betimi është pjesë e kushtetutës së Shteteve të Bashkuara dhe administrata e Obamës nuk dëshironte që të rrezikonte. Zyrtarët në Shtëpinë e Bardhë njoftuan se u deshën vetëm 25 sekonda që kryetari i Gjykatës Supreme ta drejtonte këtë procedurë pa asnjë gabim. Por Barak Obama nuk është presidenti i parë që ka përsëritur betimin. Në të kaluarën këtë kanë bërë edhe presidentët e tjerë si Calvin Coolidge dhe Chester Arthur, po për arsye të respektimit të rendit kushtetues të fjalëve të betimit.