E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria si jetime përballë globalizmit

Nikollaq Neranxi 

Sa më shumë flitet për globalizmin, për atë fuqi madhore që na udhëheq të gjithëve drejt një vetëdijeje të thellë për ta parë botën si një dhe të pandarë, aq më pak besoj se kjo filozofi merr kuptim në vendin tim, në Shqipëri. Kjo, jo sepse ne si popull nuk e pranojmë këtë realitet të ri, pasi në vigjilje të viteve '90, nga zëra dhe shpirtra të sfilitur shqiptarësh dolën thirrjet "E duam Shqipërinë si gjithë Europa", ndërkohë që mbas 19 vitesh, po ato zëra dhe shpirtra të sfilitur, por kësaj radhe shtuar edhe një dozë e madhe mosbesimi, klithin të mundur nga mosshpresa; "Po vendi ynë a do të bëhet ndonjëherë?". Këtu shtrohet në diskutim raporti i trishtueshëm mes dëshirës së madhe që edhe ne t'i përkasim botës dhe pamundësisë për ta arritur atë… Dhe pikërisht në këto kohë kur bota duket se po fiton edhe një herë shpresën për të qenë një, që të gjithë të kenë mundësi të jetojnë mbi një copë tokë e nën një copë qiell me dinjitet dhe prosperitet, në këto kohë kur besimi rizgjohet pasi një burrë me ngjyrë ka marrë bekimin e amerikanëve për të qenë në krye të tyre, por edhe simpatinë e pothuajse mbarë globit, sepse versioni i tij mbi globalizmin është më i miri i paraqitur ndonjëherë, përsëri në vendin tim duket se asgjë nuk ta nxit dëshirën për të menduar se po vjen momenti, se nuk duhet të presim edhe shumë. Nga natyra jam shumë optimist dhe vështirë të bindem se ajo që shikoj është gri, paçka se të tjerëve mund t'ju duket edhe e zezë sterrë, por edhe unë ama jam prej mishi e gjaku dhe nuk kam sesi të mos trishtohem kur shoh mungesën e një vullneti për të parë në drejtimin e duhur. Pena ime kësaj here nuk tundohet të harxhojë bojë për të analizuar se çfarë po bëhet keq e çfarë mirë nga politika shqiptare, pasi dihet se ajo tashmë është përgjegjësja kryesore që sot vijojmë t'i qëndrojmë e të na qëndrojë kaq larg Europa. Por më trishton fakti se këtu duket sikur është instaluar një mekanizëm i tërë, i cili në vend që të bëjë përpara, bën mbrapsht dhe bashkë me të, të gjithë ne. Arsyetimet e mia për globalizmin dhe për punën që bëhet sot në botë që kufijtë të bëhen sa më simbolikë dhe së bashku të luftojmë për më shumë të drejta për njerëzimin, morën zanafillë teksa po pija një çaj me një mikun tim, një sipërmarrës me emër, i cili më rrëfente për absurdin tashmë të njohur, siç është pamundësia për të marrë një vizë. Mbasi kishte bërë të gjitha dokumentet në rregull (të cilat siç dihet janë pa fund dhe akoma nuk e kam kuptuar pse) i kishte dërguar ato në një nga ambasadat e vendeve Shengen për të kërkuar viza për 20 punonjës të ndërmarrjes së tij, të cilët do të kishin mundësinë të trajnoheshin për një javë jashtë shtetit. Ambasada kishte dhënë vetëm 5 viza, ndërkohë që kishte lënë të papajisur 15 të tjerë, duke nxjerrë disa arsye absurde. Miku po më drejtohej në cilësinë e deputetit, duke u munduar të kuptonte arsyen pse i mohohej e drejta disa djemve dhe vajzave të reja, të cilët ai me paratë e tij kërkonte t'i trajnonte për më shumë dije dhe eksperiencë. E vlerësova idenë e këtij zotërie të nderuar i cili në këto kohë kur kriza ekonomike ka mbërthyer ekonominë e mbarë globit, dhe natyrisht edhe tonën, ai kishte patur idenë brilante që të trajnonte punonjësit e tij, të cilët padyshim më pas do të ishin më efiçentë në aktivitetin e tyre. Ndërkohë miku im vazhdonte të fliste: "Mesa duket nuk është vetëm politika jonë e cila pengon ecjen përpara, por edhe botës duket se po i pëlqen të na lërë në këtë injorancën dhe prapambetjen tonë". E kisha përballë mikun dhe e ndiqja me vëmendje teksa nervozizmi e kishte pushtuar keq dhe për pasojë bënte lëvizje shpesh të pakontrolluara dhe para syve të mi më vinte imazhi i një punonjësi ambasade, i cili me gjakftohtësinë më të madhe, vuloste vendimin që disa të rinj shqiptarë nuk do lejohen të shkojnë në perëndim, pasi nuk na i plotësokan disa kushte, duke iu mohuar atyre të drejtën për t'u rritur dhe ndërgjegjësuar profesionalisht. Ja, kjo është një arsye e fortë që më bën të mendoj mbi globalizmin dhe Shqipërinë shumë larg saj. Ka kaq vite që flitet nga diplomatë shqiptarë e të huaj për liberalizmin e vizave, duke na bërë të numërojmë muajt me gishtat e duarve e megjithatë deri tani asgjë në horizont. Pak ditë më parë, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, zëvendës kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Dukatit të Madh të Luksemburgut, Jean Asselborn, teksa fliste për liberalizimin e vizave tha: "E ç'kuptim ka të mbeten të shtrënguara vizat në Shqipëri kur dihet mirë që një kriminel do ta gjejë rrugën për të ikur gjithsesi?!". Dhe natyrisht ata që e vuajnë këtë censurë janë njerëzit e ndershëm, të gjithë ata që duan të shkojnë të studiojnë, të trajnohen, të takojnë të afërmit... Dhe në fund bëhet bilanci, me të humbur e të fituar. Do të humbin ata që nuk e meritojnë dhe do të fitojnë ata që një ditë me siguri do të jenë të humburit e vërtetë. Sot, një vizë është një mollë e ndaluar për shqiptarët, ose më saktë një mall i ndaluar dhe dihet, në këto raste si çdo mall tjetër i ndaluar, edhe ai do ta gjejë rrugën e tij të nëndheshme për të qarkulluar, për të shkuar jo tek ai që i ka dokumentet në rregull, por tek ai që ka paratë kesh në dorë. Se si ndahen këto para dhe në xhepat e kujt shkojnë, mjafton të kujtoni vetëm një fakt që shtypi bëri publik jo më larg se pardje, ku thuhej se Prokuroria ka zbuluar një grup kriminal i cili arrinte të siguronte viza në këmbim të shumave të majme në bashkëpunim me persona diplomatikë, të cilët kanë akses mbi vizat...
Ky shqetësim që doja të ndaja sot me lexuesit dhe kjo kambanë të cilës vendosa t'i bie fort, natyrisht ka edhe filozofinë e saj, pasi në një vend ku politikanët nuk i duan të zgjedhurit e tyre, por mendojnë vetëm për veten, natyrisht që edhe të huajt, të cilët vijnë këtu me misione diplomatike, nuk kanë sesi të mos infektohen nga kjo klimë mosdashurie dhe urie për të marrë edhe atë që nuk iu takon, në këtë vend që ngjan si toka e askujt, si një mall pa zot. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›