Tadiç, letër NATO-s e OKB-së kundër Kosovës
Diplomacia serbe ka reaguar mjaft ashpër kundër formimit të Forcës së Sigurisë në Kosovë, duke e quajtur vendimin shkelje të Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara. FSK nisi funksionin më 21 janar 2009. Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç i ka adresuar një letër sekretarëve të përgjithshëm të NATO-s dhe OKB, ku ka shprehur protestën për shkak të formimit të Forcës së Sigurisë të Kosovës. "Ky është vetëm hapi i parë në kuadrin e iniciativës diplomatike, që do ta zhvillojnë presidenti Tadiç dhe ministri i Jashtëm, Vuk Jeremiç, për të vënë në dukje, se me formimin e këtyre forcave, siç thuhet, është shkelur Rezoluta 1244 e KS", thuhet nga kabineti serb. Një ditë para formimit të FSK, presidenti Tadiç tha, se Serbia do të insistojë në shpërbërjen e tyre. "Gjatë gjithë kohës ne do të insistojmë në forumet ndërkombëtare dhe në NATO në shpërbërjen e forcave të tilla, sepse ato nuk i kontribuojnë sigurisë në Kosovë", tha Tadiç të hënën. Ndërsa ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç ka paralajmëruar se lidhur me këtë rast javën e ardhshme do të shkojë në Nju Jork, për të kërkuar nga Këshilli i Sigurimit, që të prononcohet mbi formimin e FSK-së, pasi sipas tij "ky hap i Prishtinës nuk është në harmoni me Rezolutën në fuqi të trupit më të lartë të organizatës botërore". "Formimi i FSK paraqet kërcënim për sigurinë kombëtare të Serbisë dhe Beogradi do t'i shfrytëzojë të gjitha mjetet diplomatike me qëllim të shpërbërjes së këtij formacioni ilegal e paramilitar, që është kërcënim edhe për paqen e stabilitetin e Ballkanit Perëndimor", tha Jeremiç. Ndërkohë qeveria e Kosovës vazhdon me planin e saj. Zyrtarisht është komunikuar se FSK do të shtrihet edhe në veri të Mitrovicës.