E Diel, 1 Nëntor 2026

Izraeli kërcënon sërish. Ban ki Mun: Shpjegoni sulmet

 

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, ka kërkuar që Izraeli t'i shpjegojë sulmet e tmerrshme kundër përfaqësive të OKB-së dhe dëshiron që të gjenden përgjegjësit e tyre. Në një vizitë në Rripin e Gazës, kreu i OKB-së premtoi ndihmë për palestinezët, pas sulmeve izraelite. Në luftë janë vrarë rreth 1 330 njerëz dhe janë plagosur 5 450 të tjerë. Sipas AP, bazuar nga raportet e mjekëve në Palestinë, mes viktimave gjenden 437 fëmijë nën moshën 16-vjeçare, 110 gra, 123 pleq, 14 punonjës mjekësorë dhe katër gazetarë. Ndërsa mes të plagosurve gjenden 1 890 fëmijë dhe 200 njerëz në gjendje të rëndë. Ndërkohë Izraeli është shprehur i gatshëm të hapë kufijtë në Rripin e Gazës, për furnizimin e popullsisë palestineze me ndihma. "Një hapje e përgjithshme e kufirit do të bëhet e mundur kur të jetë përjashtuar kontrabanda e armëve për Hamasin radikal islamik", tha Ministrja e Jashtme Zipi Livni, e cila kategorizoi armëpushimin e vendosur para pak ditësh, si një fazë testi. Dje autoritetet izraelite paralajmëruan se janë gati të godasin përsëri Rripin e Gazës nëse militantët e Hamasit i përdorin tunelet e nëndheshme në kufi me Egjiptin për t'u riarmatosur. Izraeli njoftoi se ka shkatërruar rreth 150 tunele gjatë ofensivës tri javore në Gaza, por raportohet se disa nga tunelet janë rihapur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›