Kartat, pakt me Komunitetin: Myslimanet pozojnë me shami
Fatos Mahmutaj
Zgjidhet çështja e shamive të myslimaneve në lidhje me aplikimet për pajisjen me kartat e identitetit. Besimtaret do të pozojnë me shami, duke mbuluar tërësisht flokët dhe veshët. Marrëveshja u arrit mes kreut të myslimanëve shqiptarë Selim Muça dhe zëvendësministrit të Brendshëm për Pushtetin Lokal, Ferdinad Poni. Gjatë një takimi të zhvilluar paraditen e djeshme, dy zyrtarët i dhanë fund problemit që nisi një javë më parë, kur një besimtare myslimane u ndalua të pozonte me shami për foton e kartës së identitetit. Pas kësaj problemi mori përmasa, pasi femrat besimtare myslimane kryeqytetase u tërhoqën nga aplikimi, ndërsa komuniteti i myslimaneve të Tiranës reagoi ashpër duke pretenduar se do të refuzonin pajisjen me këtë dokument. Ndërkohë gjatë kësaj jave ka munguar një reagim zyrtar i Komunitetit Mysliman Shqiptar, institucionit që përfaqëson ndjekësit e këtij besimi. Gjatë kontakteve të herëpashershme, nga funksionarë të këtij institucioni është bërë e ditur se këta nuk mund të shpreheshin, derisa kreu i myslimanëve, Selim Muça ndodhej për një vizitë zyrtare në atdheun e fesë islame, Arabinë Saudite.
Njoftimi i KMSH
Kryesia e Komunitetit Mysliman Shqiptar, me anë të një njoftimi, të shpërndarë dje pohon se: “Pas shqetësimeve të ngritura nga besimtaret myslimane në lidhje me mospranimin e aplikimeve të tyre me shami për kartat e reja të identitetit, kryetari i KMSH-së, Selim Muça, menjëherë pas kthimit të tij në Shqipëri nga një vizitë zyrtare në Arabinë Saudite, filloi angazhimet institucionale dhe takime të ndryshme në lidhje me zgjidhjen e këtij problemi. Në vazhdën e këtyre takimeve kryetari i KMSH-së, paraditen e sotme (djeshme) mori takim me zëvendësministrin e Brendshëm Ferdinand Pone. Gjatë takimit, të realizuar mes dy zyrtarëve, u arrit mirëkuptim i plotë mes përfaqësuesve të shtetit dhe Komunitetit Mysliman. Në këtë takim zëvendësministri Pone garantoi se do të respektohet e drejta e besimit dhe liritë e shtetasve, duke lejuar pozimin me shami për kartat e identitetit, duke respektuar kushtet teknike të kërkuara, që nënkupton mundësimin e fotografimit të plotë të fytyrës”.
Marrëveshja
Burime të KMSH-së, pohojnë se gjatë takimit në Ministrinë e Brendshme është rënë dakord pozimi i myslimaneve të jetë njëlloj si ai i pranuar nga Ministria e Brendshme në pasaportat 10-vjeçare shqiptare. Duke shpjeguar me detaje, pohohet se besimtaret myslimane do të pozojnë me shami në kokë, e cila do të mbulojë sipas kërkesave të fesë, tërësisht flokët dhe veshët, ndërsa do të jenë të dukshme të gjitha pjesët e fytyrës, duke përfshirë, ballin, faqet dhe mjekrën. Ky model në fakt është pranuar në vitin 2001 nga firma gjermane “Bundesduckerei” e cila ka marrë përsipër prodhimin e pasaportave shqiptare. Ndërkohë, pas zhbllokimit të kësaj situate të krijuar fundjavën e kaluara, besimtarët kryeqytetas pohuan dje se në ditët në vazhdim pritet që të aplikojnë në masë femrat myslimane për pajisjen me karta të identitetit. Po kështu edhe Ministria e Brendshme, nëpërmjet një njoftimi për shtyp të bërë pasditen e djeshme, e konfirmoi takimin dhe pohoi se kishte rënë dakord me përfaqësuesit e fesë islame që besimtaret të pozonin me shami, njëlloj siç edhe veprohet në aplikimin për pasaporta. Sipas tyre, zëvendësministri Poni kishte siguruar krerët myslimanë se asnjëherë dhe për asnjë çast procesi për pajisjen e qytetarëve me karta identiteti nuk ka cenuar dhe nuk do të cenojë besimin dhe integritetin e besimtarëve. Po kështu, ministria pohoi në momentin e nisjes së procesit të prodhimit të kartave të identitetit se qytetarët që nuk do të aplikojnë dhe pajisen me këto dokumente për një kohë disa javorshe do të përballen me sanksione të shumta ligjore.
Fotot e kartave, njëlloj si pasaportat
TIRANE – Modeli gjerman i cili zbatohet nga firma “Bundesduckerei” për pajisjen me pasaporta 10-vjeçare të shtetasve shqiptarë, siç duket është parë si zgjidhja më e përshtatshme për fotot e kartave të identitetit që kanë nisur të shpërndahen dy javë më parë nga Ministria e Brendshme. Është fjala për lëvizjen e shamisë deri në kufi mes ballit dhe flokëve, si dhe deri tek pjesa e veshëve. Duke parashikuar se në Shqipëri, rreth 75 për qind e shtetasve i përkasin besimit mysliman, dhe një pjesë e mirë e tyre janë praktikantë të besimit, “Bundesduckerei” vendosi që forma më e mirë për të pozuar me shami e besimtareve do të ishte kjo që shihet në foton më sipër. Në këtë mënyrë, në respekt të rregullave fetare dhe integritetit të besimtareve lejohet mbulimi tërësisht i flokëve dhe veshëve me shami, ndërsa detyrimisht duhet të jetë e dukshme pjesa tjetër e fytyrës përfshi mjekrën. Në këtë mënyrë, prej vitit 2002 ka nisur lëshimi i pasaportave për femrat myslimane, ndërsa tashmë ky model do të aplikohet dhe në rastin e kartave të identitetit dhe më pas pasaportave elektronike, që janë projekt i afërt i Ministrisë së Brendshme. Kërkesa e myslimaneve shqiptarë, për pozimin e femrave me shami gjen mbështetje në Kushtetutë, ku sanksionohet shprehimisht se e drejta e fesë i përket lirive themelore të njeriut dhe mbrohet me ligj. Zgjidhja e problemit të shumëpërfolur javën e fundit pritet që të dërgojë në pikat e aplikimit për karta identiteti një numër të madh besimtaresh, të cilat ishin tërhequr për shkak të debatit që doli pas refuzimit të aplikimit të njërës prej tyre të premten e javës së kaluar. fa.ma.
Poni: Myslimanet të pozojnë me shami
TIRANE – Ministria e Brendshme pohoi dje nëpërmjet një deklarate për shtyp se zëvendësministri i Brendshëm për Pushtetin Lokal, Ferdinand Poni priti në një takim një përfaqësi të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, të kryesuar nga kryetari i këtij institucioni Selim Muça. Sipas njoftimit të ministrisë, takimi, i cili u zhvillua në frymën e një mirëkuptimi të plotë, u përqendrua në diskutimin lidhur me respektimin e të drejtës së besimit dhe lirive të shtetasve gjatë procesit të aplikimit për pajisjen me letërnjoftime elektronike dhe pasaporta biometrike. “Poni siguroi përfaqësuesit e KMSH-së se asnjëherë dhe për asnjë çast procesi nuk ka cenuar dhe nuk do të cenojë besimin dhe integritetin e besimtarëve”, pohon ministria, duke përfunduar se përfaqësuesit e KMSH-së shprehën mbështetjen e plotë për realizimin me sukses të këtij projekti madhor për vendin tonë. f.m.
Shamitë ishin keqkuptim,tashmë problem i zgjidhur
TIRANE - Isha i mendimit që në fillim që kemi të bëjmë me një keqkuptim pasi shamia e besimtareve është e mbrojtur në Kushtetutë, ashtu siç edhe është rënë dakord në takimin ndërmjet Kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar, Hafiz Slim Muça dhe zëvendësministrit të Brendshëm Ferdinand Poni. Në këtë takim, zëvendësministri garantoi se do të respektohet e drejta e besimit dhe liritë e shtetasve, duke lejuar pozimin me shami për kartat e identitetit. Edhe pse patëm të bëjmë me një keqkuptim që në thelbin e tij është mjaft i ndjeshëm për besimtarët myslimanë, maturia dhe qetësia, si dhe rruga që ndoqën besimtarët, ishte shembull i tolerancës dhe mirëkuptimit të ligjeve të vendit tonë. Ky rast le të na shërbejë, që ashtu si në të gjithë Evropën, përpara hapave konkrete të ketë konsulta të ndërsjellta me komunitetet fetare për të anashkaluar çdo keqkuptim. Në asnjë vend të botës, Kushtetuta nuk mund të shkelet dhe aq më tepër kur kemi dhe raste më të thjeshta që burojnë nga rregullore të brendshme të shkollave. Le të jetë ky një rast reflektimi për të gjitha institucionet në vendin tonë që në çdo ligj apo rregullore që nxjerrin të mos bien në kundërshtim me ligjin themelor të shtetit, ndërsa problemi i shamive të besimtareve të quhet tashmë i mbyllur. Kështu do të përmbushim më së miri kuadratin e një shoqërie demokratike që respekton të drejtat e individit. Tashmë ka ardhur koha që të gjitha fetë të kenë të gjitha hapësirat e mundshme që burojnë nga Kushtetuta që ne vetë e kemi përzgjedhur nga modelet e vendeve më të zhvilluara evropiane. Respektimi i të drejtave të njeriut është kusht për aderimin e vendit tonë në Evropë, le t’i urojmë zëvendësministrit Poni suksese në procesin e pajisjeve me karta të identitetit dhe pasaportat biometrike me shpresën se shumë shpejt shqiptarët do të kenë mundësinë e liberalizimit të vizave.
Ilir Hoxholli* anëtar i kryesisë së KMSH