Debat në grupin e PS për strategjinë e protestave, Ruçi: Përmes kutive, në zgjedhje të parakohshme
Aristir Lumezi
Deputetët socialistë diskutuan dje rreth vazhdimit të grevës së urisë. Edhe pse nuk u votua për një qëndrim unanim, kreu socialist, Rama dhe kryetari i grupit Ruçi, u shprehën në fund të saj se do të vazhdojë qëndresa dhe greva deri në arritjen e transparencës së zgjedhjeve. Ruçi mësohet të ketë thënë se “strategjia e PS është që përmes transparencës të arrijmë rrëzimin e Qeverisë dhe zgjedhjet e parakohshme. Transparenca nuk është strategji, por taktikë për të shkuar tek zgjedhjet e parakohshme”. Jo të gjithë deputetët ishin lajmëruar për mbledhjen e djeshme, ndërsa disa prej tyre mungonin, pasi merreshin me organizimin në qarqe të mitingut të protestës së pasdites. Në nisje të mbledhjes, kryetari i grupit, Ruçi, ka kërkuar mendimin e deputetëve rreth strategjisë së ardhshme të PS në lidhje me grevën. Fryma e përgjithshme në këtë mbledhje ishte për vazhdimin e grevës, madje dhe me ripërtëritjen e grevistëve aktualë, duke i zëvendësuar ata me deputetë dhe mbështetës të rinj grevistë. Të këtij mendimi kanë qenë deputetët Dokle, Meksi, Ruka, Minxhozi etj., të cilët janë shprehur të gatshëm të hyjnë në grevë urie, ndërsa kanë kërkuar që të mos ndalen deri në arritjen e transparencës. Por mes tyre ka pasur edhe mendime që kërkonin hartimin e një strategjie të saktë, të qartë dhe limit të përcaktuar kohor. Deputeti Sajmir Tahiri është shprehur se ripërtëritja e grevistëve do të humbte elementin e ultimatumit, që grevistët aktualë kanë vendosur me sakrificën e tyre të deritanishme. Ndërsa nëse kjo ripërtëritje do duhet të bëhet, atëherë sipas tij, do të ishte mirë që në grevë urie të hynte i gjithë grupi parlamentar socialist, përfshirë këtu edhe kryetarin e PS. Vetëm në këtë mënyrë sipas Tahirit, do të rritej presioni ndaj maxhorancës. Ndërsa deputeti Damian Gjiknuri e ka cilësuar grevën e urisë të socialistëve të suksesshme në qëllimin e saj, pasi ajo sipas tij, ktheu kutinë e materialeve zgjedhore në hetimin parlamentar, ndërsa ka kërkuar përcaktimin e një strategjie të saktë. Ndërsa deputeti Ilir Gjoni ka kërkuar nga drejtuesit e partisë të njihet me strategjinë e ardhshme të PS si dhe me përmbajtjen e marrëveshjes së cituar nga ambasadori i OSBE-së Bosch. Në fund të mbledhjes, Rama tha se “përmes transparencës do shkojmë në zgjedhje të parakohshme”. Nga ana e tij, Ruçi është shprehur se “nëse nuk plotësohen kërkesat tona, do ta mbyllim grevën dhe do ta shpallim Qeverinë të paligjshme dhe do të kërkojmë shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme”.
debatet në grupin e ps
Gramoz Ruçi: Jemi mbledhur sot që të diskutojmë për qëndrimin që duhet të mbajmë në të ardhmen. Ju lutem shprehni mendimet tuaja.
Namik Dokle: Unë mendoj se duhet të vazhdojmë rezistencën dhe grevën tonë. Nuk mund ta lemë në mes tani që mbështetësit tanë sa vijnë dhe shtohen, gjithë e më shumë shqiptarët po binden se Sali Berisha i ka vjedhur zgjedhjet. Jam i gatshëm të hyj në grevë urie.
Qemal Minxhozi: Jam dakord që të vazhdojmë me grevën dhe jam i gatshëm të hyj edhe unë në grevë.
Damian Gjiknuri: Mendoj se greva e arriti qëllimin, sepse Sali Berisha i lejoi materialet zgjedhore, dhe kjo duhet konsideruar arritje. Aftësia e një force politike është që dhe një arritje jo maksimale ta interpretojë si një fitore politike. Ne duhet të përcaktojmë një strategji se deri ku do të shkojë ky pozicionim. Ne duhet të kuptojmë limitet tona dhe të mendojmë për variantet tona të daljes nga kjo situatë. Mendoj se duhet të gjejmë mirëkuptim dhe me ndërkombëtarët, sepse vetëm nuk mund të arrijmë gjë.
Arta Dade: Ne duhet të vazhdojmë betejën tonë, pasi tani ne kemi arritur në një pikë që s’ka kthim prapa dhe e vetmja rrugë është arritja e transparencës.
Sajmir Tahiri: Me ripërtëritjen e grevistëve, mendoj se greva humbet elementin e presionit, që është ultimatumi që vendosin grevistët me sakrificën e tyre. Nëse duhet patjetër të bëjmë ripërtëritjen e grevistëve, jam i mendimit të hyjmë të gjithë deputetët në grevë urie, që nga i peri deri tek i fundit, përfshirë dhe kryetarin e partisë. Në këtë mënyrë ndërkombëtarët do të kenë interlokutorin e tyre, kryetarin, brenda grevës. Nga ana tjetër mendoj se ky veprim duhet koordinuar edhe me pushtetin vendor. Nuk ka kuptim që deputetët e PS të jenë në grevë urie dhe pushteti vendor ku ne drejtojmë të vazhdojë punën normalisht. Propozoj që këshilltarët të bojkotojnë këshillat, ndërsa administrata të punojë 2-3 orë në shenjë solidarizimi me grevën e urisë.
Ilir Gjoni: Kam dy pyetje për çështjet që diskutohen: çfarë strategjie ka pas grevës së urisë?
Si është e vërteta e marrëveshjes që ka shprehur ambasadori i OSBE-së, Bosch?
Ilir Bejtja: Kjo punë s’mund të vazhdojë pafundësisht kështu, sepse njerëzit u lodhën dhe do ta kenë të vështirë të na ndjekin pa mbarim.
Valentina Leskaj: Mendoj se nëse duhet të shkojmë në ripërtëritje të grevistëve, grupi i dytë duhet të sjellë edhe një rritje të nivelit të përfaqësimit të grevës, përveç kryetarit, që duhet të qëndrojë jashtë për negociata.
Gramoz Ruçi: Strategjia jonë është që përmes transparencës të arrijmë rrëzimin e Qeverisë dhe zgjedhjet e parakohshme. Transparenca nuk është strategji, por taktikë për të shkuar tek zgjedhjet e parakohshme. Nëse nuk plotësohen kërkesat tona, do ta mbyllim grevën dhe do ta shpallim Qeverinë të paligjshme dhe do të kërkojmë shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Kjo situatë ka sensibilizuar të gjithë faktorin ndërkombëtar. Pritet të vijë edhe një delegacion i BE-së dhe SHBA-së për krizën. Në këtë aspekt greva ka dhënë efekt të madh.
Edi Rama: Greva duhet të vazhdojë dhe të ripërtërihen njerëzit që janë në çadër. Edhe po nuk arritëm qëllimin tonë me grevën, objektivi është të gërryejmë Sali Berishën, që deri në zgjedhjet e ardhshme Berisha dhe maxhoranca e tij të jetë e diskredituar si e korruptuar dhe e manipuluar. Ndërkombëtarët për ne janë të rëndësishëm, por nuk janë vendimtarë për kauzën tonë, vendimtare është qëndresa jonë.