E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta në OKI: Priten njohje të reja për Kosovën



Zv.kryeministri Ilir Meta tha dje në Sesionin e 37-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës së Konferencës Islamike, mbajtur në Dushanbe, Taxhikistan se pavarësinë e Kosovës pritet ta njohin shtete të tjera. Sipas kreut të diplomacisë shqiptare, “Kosova është gjithashtu anëtare me të drejta të plota e FMN-së dhe e Bankës Botërore; ajo është gjithashtu pjesëmarrëse aktive në shumë forume dhe nisma rajonale. Së shpejti priten njohje të reja; po kështu, Kosovën pritet ta pranojnë në gjirin e tyre edhe institucione të tjera ekonomike dhe financiare, me karakter rajonal dhe ndërkombëtar. Në terma reale, Kosova e pavarur ka krijuar një klimë të re, e cila rrezaton paqe dhe stabilitet në fushat e sigurisë, marrëdhënieve ndër - etnike dhe në fusha të tjera, jo vetëm në Kosovë, por në gjithë rajonin tonë”. Duke iu drejtuar homologëve të tij të vendeve anëtare të OKI-së, Meta e vlerësoi miratimin e Rezolutës “Mbi situatën në Kosovë”, si një dëshmi të qartë të solidaritetit dhe angazhimit të sinqertë të Organizatës së Konferencës Islamike në drejtim të vlerave të lirisë dhe progresit. Gjithashtu, Meta vuri në dukje zhvillimet thelbësore që kanë ndodhur në Kosovë në të gjitha drejtimet, duke veçuar konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Gjatë vizitës në Taxhikistan, kreu i diplomacisë shqiptare u prit në një takim të veçantë nga Presidenti vendas, Emomali Rahmon. Gjatë takimit, zv. kryeministri Meta dhe Presidenti Rahmon shkëmbyen mendime rreth forcimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Taxhikistanit, përmes intensifikimit të vizitave dypalëshe në nivele të larta dhe nxitjes së investimeve në fusha me interes të përbashkët, veçanërisht në sektorët energjetikë dhe agrarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›