Kushtetuesja, maxhoranca gati të votojë anëtarët e rinj
Komisioni i Ligjeve organizoi dje seancën dëgjimore për njohjen e tre anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese.Tre anëtarët e rinj, të dekretuar nga Presidenti i Republikës Bamir Topi, Altina Xhoxhaj, Bashkim Dedja dhe Vangjel Kosta, treguan para deputetëve të Komisionit eksperiencën e tyre si dhe iu përgjigjën pyetjeve të deputetëve të djathtë. Kryetari i Komisionit Ilir Rusmali, tha në fund të seancës se procesi i përzgjedhjes së tre anëtarëve të rinj është transparent, por ai nuk saktësoi se kur do të kalojnë për votim në Kuvend. Burime zyrtare nga Kuvendi saktësojnë se me përfundimin e seancës dëgjimore, emrat e anëtarëve të rinj të Kushtueses, ligjërisht janë gati për votim që në seancën e ditës së enjte. Të njëjta burime saktësojnë se jo më vonë se të enjten e javës tjetër, emrat e anëtarëve të rinj do të dërgohen për votim në Kuvend. Ata duhet të miratohen me shumicë të thjeshtë votash, dhe në rast se Kuvendi nuk i voton, atëherë Presidenti duhet të përzgjedhë 3 emra të tjerë.
Sipas rregullores së Kuvendit, Komisioni i Ligjeve organizon vetëm një seancë dëgjimore, dhe nuk jep asnjë vendim për kandidaturat. Me votë të fshehtë do të jetë Kuvendi, ai që do të japë verdiktin. Në seancën e djeshme, deputetët pyetën anëtarët e rinj në lidhje me përvojën e tyre profesionale. Njëkohësisht deputetët bënë pyetje edhe për situatën e fundit në gjyqësor, ato për çështjen e korrupsionit apo ndërhyrjeve politike. Ata u shprehen se ndërhyrjet politike kanë qenë të pashmangshme në sistem, ndërsa për çështjen e korrupsionit, anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese shprehën rezerva për punën e Prokurorisë. “Ka korrupsion, siç ka në mjekësi, ka në drejtësi, ashtu edhe në fusha të tjera. Duke qenë se është vepër penale, është detyra e organeve të hetimit dhe prokurorisë t’i zbulojë këto raste korruptive dhe t’i sjellë në gjykatë”, tha Altina Xhoxhaj. Kandidati tjetër, Bashkim Dedja tha se nuk është puna e dobët e Prokurorisë shkak i nivelit të lartë të korrupsionin, por është puna e organeve investigative. “Në perceptimin tim, asnjëherë Këshilli i Lartë të Drejtësisë nuk është bërë pengesë për heqjen e imunitetit të gjyqtarëve dhe fillimin e procedimit të tyre, të paktën nga viti 1993 e këtej, që kur unë punoj në gjyqësor. çdo kërkesë e prokurorisë, që është kërkuar për heqjen e imunitetit të gjyqtarëve, nuk është refuzuar asnjëherë, por është puna e organeve investigative”, tha Dedja. Ndërsa kandidati tjetër, Vangjel Kosta tha se “organi i prokurorisë ka se çfarë të kërkojë nga vetja për këtë dështim të saj. Unë besoj që prokuroria duhet ta konsiderojë veten jo të suksesshme në këtë fushë”.
Seanca pyetje-përgjigje mes deputetëve dhe gjyqtarëve
Enkelejd Alibeaj: Si do e interpretoni një ankesë që mund të vijë nga një grup deputetësh të opozitës në Gjykatën Kushtetuese për një ligj, nëse deputetët nuk kanë bërë diskutime të ligjit?
Bashkim Dedja: Sipas përcaktimeve të Kushtetutës, nuk është se është përcaktuar një situatë e tillë. Gjithsesi, Gjykata Kushtetuese vlerëson çdo kërkesë që vjen nga deputetët.
Vangjel Kosta: Nuk besoj se na takon ne të shprehemi për bojkotet
Mesila Doda: A keni qenë pjesë e strukturave të Partisë së Punës në kohën e diktaturës komuniste?
Altina Xhoxhaj: Jo, nuk kam qenë
Bashkim Dedja: Kam qenë pjesë e organizatës së Rinisë
Vangjel Kosta: Jo
Gent Strazimiri, Mesila Doda: Mendoni se ish-pjesëtarët e dënimeve të diktaturës komuniste duhet të jenë pjesë e sistemit të sotëm gjyqësor?
Bashkim Dedja: Ka të bëjë me vetë ligjin. Por nëse dikush ka dhënë dënime më shumë seç e ka parashikuar ligji, apo në maksimumin e rreptë, mendoj që moralisht nuk duhet të jetë.
Fatos Hoxha: është e dyta herë që ju vini në Kuvendin e Shqipërisë. Cila është pika juaj e fortë, që sa herë ka zgjedhje të rëndësishme ju kapni majat?
Altina Xhoxhaj: Mendoj që është profesionalizmi dhe integriteti
Pyetje nga disa deputetë: Si e vlerësoni procedurën e përzgjedhjes tuaj për të qenë anëtarë të Gjykatës Kushtuese?
Bashkim Dedja: Kushtetuta i jep të drejtën Presidentit për të bërë përzgjedhjen dhe për t’ia paraqitur Parlamentit, i cili jep më pas pëlqimin. Por se si behët në mënyrë të detajuar këtu nuk është e parashikuar në ligj.
Vangjel Kosta: Mendoj që është një raport ekuilibrash dhe kontrolli reciprok. Kam përshtypjen se një konkluzion të tillë e ka dhënë edhe Gjykata Kushtuese, në rast kur është kërkuar nga Presidenti i Republikës.
Altina Xhoxhaj: Mendoj që Presidenti ka vlerësimet e veta. Nga sa jemi në dijeni nga shtypi dhe media, mendoj që është konsultuar dhe ka qenë tërësisht një procedurë transparence. Në lidhje me zgjedhjet e fundit, ku u rrëzuan dekretet për në Gjykatën e Lartë në vitin 2008, mendoj që këto marrëdhënie i përcakton Kushtetuta.